E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati për Kamerfest

Drejtues të Filarmonisë së Kosovës kanë bërë të ditur se janë kryer të gjitha përgatitjet e nevojshme për koncertin e Orkestrës Simfonike të kësaj filarmonie, i cili organizohet në bashkëpunim me Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës Kamertale “Kosova Kamerfest”.

Në një konferencë për media të shtunën, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka dhënë detaje rreth organizimit të këtij koncerti, në të cilin do të marrin pjesë pianisti Derek Han nga SHBA-të dhe dirigjenti japonez Toshio Janagisava.

“Ky koncert është i veçantë për shkak të përmbajtjes programore të tij, meqë për herë të parë në Kosovë do të interpretohet ‘Simfonia fantastike’ e kompozitorit Hektor Berlioz, e cila simfoni paraqet sfidë të veçantë jo vetëm për orkestrën tonë, por edhe për orkestrat tjera, sepse kërkon nivel të lartë dhe përgatitje profesionale”, tha Jashari.

Drejtoresha e festivalit “Kamerfest” dhe njëherësh mjeshtrja e Orkestrës së Filarmonisë, Sihana Badivuku bëri të ditur se të paktën tri mbrëmje nga 15 sish sa kanë qenë të planifikuara për realizim, do të anulohen për shkak të mungesës së mjeteve financiare.

Ajo ka kërkuar më tepër mjete financiare, në mënyrë që të organizohen koncerte të tilla në të ardhmen.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›