Skandal te Juve, komisione ilegale
Në hetim ish-presidenti Kobolli Xhijli dhe presidenti aktual Zhan Klod Blank
Komisionet e menaxherëve sportivë janë vënë në mënyrë të parregullt në bilancin e Juventusit te zëri i “kostove”: është hapur një hetim i ri i “Guardia di financa” dhe Prokurorisë së Torinos për llogaritë e klubit bardhezi. Mes të hetuarve, sikurse bën të ditur "La Stampa", figurojnë presidenti Zhan-Klaude Blank dhe paraardhësi i tij Xhovani Koboli Xhijli. Burime pranë hetuesve vërejnë që, megjithëse në mënyrë të paligjshme, bëhet fjalë për një “praktikë standarde” në botën e futbollit. Fashikulli i ri është fryt i kontrolleve të kryera në rastet e hetimeve mbi menaxhimin e vjetër të Juventusit, për të cilin u zhvillua një hetim që çoi në lirimin e Luçiano Moxhi, Antonio Xhiraudos e Roberto Betegas. Duke ekzaminuar bilancet, hetuesit kanë zbuluar se në 2006-n dhe 2007-n janë deklaruar shkelje me tarifat për avokatët në lidhje me blerjet ose rinovimet e kontratave të lojtarëve. Por sikurse parashikon Federata Italiane, klubet nuk mund të paguajnë ndërmjetësit: ata që e bëjnë këtë duhet të jenë lojtarët, kontratat e të cilëve me agjentët duhet të depozitohen (edhe pse shpesh kjo nuk ndodh). Në total, “Guardia di financa” thekson se ka pasur një shkelje fiskale lidhur me disa miliona euro. Megjithatë është shumë e mundshme që të përfshihen në hetim edhe eksponentë të vjetër, në lidhje me menaxhimin e klubit, ngaqë deklarimet e 2006-s u referohen atyre të vitit të mëparshëm fiskal dhe do të kontrollohen edhe bilancet e kohëve më të hershme; në çdo rast, pjesa më e madhe e shkeljeve duhej të ishte parandaluar. Ndërkohë që skuadra aktuale vazhdon të kërkojë shërim, Juventusi lëviz për sezonin e ardhshëm. Do të ketë një trajner të ri, por edhe një rinovim thelbësor të grupit, që mund të kalojë nga Bajerni i Mynihut, ku të shtunën Xhon Elkan, me rastin e një feste ndërkombëtare, do të ketë një kontakt me drejtuesit e skuadrës gjermane: Riberi është një ëndërr, Bastian Shvajnshtajger, mesfushori 26-vjeçar gjithnjë i pëlqyer nga bardhezinjtë, pak më pak. Shumë i vlefshëm në Gjermani si për rendimentin me Bajernin dhe për atë në Kombëtare, Bastian së fundmi ka evoluar, duke u transformuar (sidomos me Van Galin) në një lojtar të kompletuar, të aftë të reagojë si një mesfushor qendre ashtu edhe si lojtar krahu në mesfushë, rol në të cilin u bë i njohur. Vështirësitë për ta marrë nga Bavaria janë dy: E para është se Bajerni nuk ka bërë më shumë se një shitje të bujshme në vit. Vitin e kaluar shiti Lusion, këtë herë do të jetë Riberi, i cili duket i destinuar të ikë te Real Madridi. Bavarezët mund të kenë nevojë për më shumë para dhe Shvajnshtajger nuk do të kushtonte më shumë se 17-18 milionë, pasi është lojtar kalibri në skadim të kontratës në 2012-n. Pas një sezoni më shumë se zhgënjyes, Juventusi do të shikojë përpara: do të rikonfirmohen 11 lojtarë, ku Diego, Markizio, Sisoko do të jenë skuadra e të ardhmes. Mes të mëdhenjve do të qëndrojnë edhe Bufon e Del Piero. Tashmë është thuajse e sigurt që do të largohen Kanavaro, Kamoranezi dhe Trezege. Rrezikojnë shumë edhe dy futbollistët brazilianë, sulmuesi Amauri dhe mesfushor Felipe Melo. Ndërkohë që ende nuk është përcaktuar emri i trajnerit të ardhshëm, pasi Zakeroni është deri në muajin qershor.
#