E Shtunë, 31 Tetor 2026

Riberi: Mjaft te Bajerni, dua një skuadër ambicioze

Deklarata
Francezi vazhdon të mos japë sigurinë për të ardhmen te bavarezët

Vazhdojnë dyshimet për të ardhmen e Frenk Riberisë, që për të qëndruar te Bajerni i Mynihut pretendon garanci se skuadra do të jetë e denjë të konkurrojë për triumfin në Champions League. Prej një viti, e ardhmja e talentit francez, kontrata e të cilit përfundon në qershor 2011, është shndërruar në objekt diskutimi. Gjysma e klubeve të mëdha europiane, duke përfshirë këtu Realin e Madridit, Barcelonën, çelsin, Mançester Junajtid e Juventus, kërkojnë shërbimet e lojtarit. Megjithatë, nuk përjashtohet fakti që 26-vjeçari të qëndrojë në Bundesligë. “Bajerni mbetet një klub i madh”, ishin fjalët e lojtarit kryesor të përfaqësueses franceze. “Bavarezët janë një prej skuadrave më të famshme në botë, por momentalisht nuk mendoj se jemi në lartësinë e duhur për të rivalizuar me ekipet më të mira europiane. Në këtë pikë të karrierës sime dëshiroj të fitoj një trofe të rëndësishëm, nuk jam më i vogël. Përkundrazi, jam më pranë moshës kur lojtarët tërhiqen nga futbolli dhe jo pranë moshës kur debutojnë. Nuk kam më kohë për të humbur. Ende nuk mund të them nëse do të qëndroj apo do të largohem, por kërkoj të luaj në një skuadër që synon sa më lart”. Për të thënë me saktësi se cila është ëndrra sekrete e Riberisë, duket e vështirë. Megjithatë, pas këtyre deklaratave, largimi i mesfushorit me tipare sulmuese nga Bajerni në merkaton e verës duket thuajse i vulosur. E vetmja gjë që do ta ndalonte do të ishte “lufta” e bavarezëve me pretendentet e francezit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›