Serxho Aguero: Nuk do të luaj përjetë tek Atletiko
Argjentinasi
Me fjalët e tij, 21-vjeçari rrit spekulimet për të ardhmen
Ylli i Atletikos së Madridit, Serxho Aguero, ka pranuar se ka pak gjasa që të luajë edhe për shumë kohë në “Visente Kalderon”. Talenti argjentinas, i adhuruar nga tifozët e Atletikos për aftësitë realizuese përpara portës dhe për partneritetin e shkëlqyer me Diego Forlan, është në listën e dëshirave të shumë klubeve angleze, duke përfshirë këtu edhe Mançester Junajtid dhe çelsin. Madje, pak kohë më parë u përfol se blutë e Londrës janë të gatshëm të paguajnë rreth 45 milionë euro për “El Kun”. Për tabloidin britanik, “The Sun”, 21-vjeçari deklaroi: “Jam shumë i lidhur me klubin e Atletikos, por nuk mund të them se do të qëndroj gjatë gjithë jetës për të luajtur këtu. Momentalisht ndihem i lumtur dhe i adhuroj tifozët e skuadrës. Shpresoj që t’ua shpërblej besimin dhe mbështetjen me lojën time në fushë”. Aguero pritet të grumbullohet me përfaqësuesen e Argjentinës në Kupën e Botës 2010 që do të zhvillohet në Afrikën e Jugut. Kjo do të jetë hera e parë që ai luan në një aktivitet të këtyre përmasave. “Do të jetë botërori im i parë dhe me ndihmën e Zotit do të ndihmoj Argjentinën që të arrijë në finale. Mendoj se është e rëndësishme që të kesh një ëndërr”. Ai shtoi se një shtysë më shumë për të punuar me profesionalizëm është dëshira për t’u bërë numri 1 në botë: “Kujtdo futbollisti i pëlqen që t’i thonë se ai është lojtari më i mirë në botë. Megjithatë, personalisht mendoj se kam ende shumë gjëra për të mësuar”.
#