Hasi jehon sot

Festivali tradicional “Hasi Jehon”, i cili ndryshe quhet “Dasma Hasjane”, do të fillojë sot, më 2 maj dhe do të vazhdojë deri më katër maj. Drejtori i Festivalit Haziz Hodaj tha për Express se në këtë festival do të marrin pjesë rreth 20 grupe artistike, të cilat do të jenë nga Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe nga Presheva.
Ai shtoi se festivali nuk do të ketë karakter garues, mirëpo megjithatë juria profesionale e cila e përcjell festivalin do të veçojë shoqëritë më profesionale, të cilat kanë program më komplet. “Përveç shoqërive do të ketë edhe përfaqësime individuale, për të cilët do të ketë edhe shpërblime tradicionale siç janë Malësori, Malësorja, Lahuta si dhe do të ketë edhe shpërblime individuale”, tha Hodaj.
Ndryshe, midis shumë shoqërive kulturore dhe artistike shqiptare për nga mënyra e organizmit, larmisë së punëve dhe përfaqësimit dinjitoz, shquhet Shoqëria Kulturore Artistike “Malësori”, e cila shoqëri kulturore e solli edhe festivalin “Hasi Jehon”.
Kjo shoqëri ka marrë pjesë në shumë festivale folklorike, ku mund të veçojmë: pjesëmarrjen si përfaqësuese e kulturës së Hasit dhe të Shqiptarëve të Kosovës në Festivalin Ballkanik në Ohër, me 1983 dhe një herë në Festivalin Ndërkombëtar të Folklorit në Zagreb të Kroacisë me 1988.