Gati për provimet me zgjedhje
Sipas Maturës Shtetërore 2008, dy provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe zhvillohen në një ditë. Këtë vit këto teste do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative dhe secila prej tyre do të ketë 1 pikë dhe në total pyetjet me alternativa do të kenë 10 pikë, ndërsa 10 pyetjet që do të jenë me zhvillim do të përmbajnë në total 30 pikë. Gjithsesi një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë riprovim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Sivjet çdo maturant do të zgjedhë vetë se cilin nga dy provimet me zgjedhje do të japë të parin dhe nuk do të ketë mundësi që të dalë ose të pushojë në mes të provimeve. Pra, maturantët duhet të paraqiten në shkollë në orën 9 të mëngjesit dhe për gati një orë ata do të sistemohen nëpër ambientet e shkollës, në orën 10 fillon dhe provimi.