Kur bashkimi kombëtar nis nga dija
Dhjetë vjet më parë, Tetova ishte kazani i një lufte guerile, për të hapur një universitet në gjuhën shqipe, që do t`u jepte të drejtën shqiptarëve të shkolloheshin në gjuhën e tyre amtare. E sot, ata nuk kanë një, por më shumë se 25 shkolla të larta, ku mund të shkojnë. Nuk e dëgjuat gabim... janë dhjetëra universitete shqiptare që tashmë kanë hapur krahët për të mirëpritur shqiptarët e Maqedonisë, e jo vetëm, por edhe ata të Kosovës e të Shqipërisë, për të vazhduar studimet e larta.
Bëhet fjalë për të gjitha universitetet e rrjetit të universiteteve shqipfolëse, që u themelua veç pak ditë më parë në Kukës, në praninë e të gjithë rektorëve të shkollave të larta shqiptare dhe të Kryeministrit Berisha, e ky rrjet ka sjellë një dimension të ri për arsimin universitar shqiptar. Por deri ku mund të shkojë? Çfarë të rejash do të sjellë? Sa do të mund që të plotësojë botën akademike shqiptare dhe si mund t`u vijë në krahë studentëve? Presidenti i këtij rrjeti, prof. dr. Dhori Kule, tregon se ky bashkim akademik do të rrisë njëtrajtshmërisht cilësinë në të gjitha universitetet së bashku.
E në një mendje janë edhe shqiptarët e andej kufirit. Sipas tyre, ideja e prof. Kules që u realizua tashmë, është një risi që do të sjellë ndryshimin (në të mirë) të didaskalisë shqiptare.
Për të marrë përgjigjet e këtyre pyetjeve, vendosëm të shkojmë në Tetovë e në Prishtinë për të dëgjuar nga rektorët e universiteteve të atjeshme se ç’do të thotë ky rrjet. Morëm rrugët nepërkë të Kërrabës, për të mbërritur përpara mesditës në Tetovë, në qendrën e shqiptarëve të Maqedonisë, aty ku shqipja është gjuha e parë zyrtare, e lë në vend të dytë maqedonishten, e aty ku flamuri shqiptar gjendet shumë herë më shumë se flamujt maqedonas.
Mundësitë universitare
Për rektorët e dekanët e universiteteve të Maqedonisë, rrjeti i universiteteve shqipfolëse është një shenjë shprese për të rritur cilësinë dhe mbi të gjitha nivelin e bashkëpunimit mes universiteteve të Maqedonisë, Kosovës e Shqipërisë. Sadi Bexheti, rektor i Universitetit Shtetëror të Tetovës dhe Abdylmenaf Bexheti, zëvendësrektor i Universitetit të Evropës Juglindore, shprehen për “standard” se bashkëpunimi i ri në horizont është më shumë se thjesht një marrëveshje shumëpalëshe. Për ta ky rrjet domethënë rritje e cilësisë për të gjitha universitetet.
Tetova nuk ka pasur universitet. Shqiptarët e atjeshëm mund të shkolloheshin në gjuhën e nënës vetëm në Prishtinë, e dëshira e tyre për arsim universitar (si një e drejtë themelore e njeriut) i bëri që të shkojnë deri në luftë. Sot, në Tetovë ka dy universitete shqipfolëse, Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe Universiteti i Evropës Juglindore, një institucion privat-publik, që administrohet nga një bord drejtues me akademik të huaj.
“Tashmë kemi një pafundësi mundësish për të zhvilluar edhe më tej universitetet tona” – shprehet Abdylmenaf Bexheti, zëvendësrektor i Universitetit të Evropës Juglindore, e ish-ministër i Transporteve në vitet 1995-1998 në Maqedoni, teksa na pret në kampusin, ndoshta më të zhvilluar nga ana infrastrukturore të gjithë hapësirës shqiptare. E takuam në zyrën e tij, ku na prezantoi universitetin ku punon e mbi të gjitha na shprehu bindjen se universitetet shqipfolëse tashmë kanë një tjetër hapësirë mundësish.
I të njëjtit mendim ishte edhe kreu i institucionit tjetër të arsimit të lartë në Tetovë, rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Sadi Bexheti. “Është një nismë për t`u përshëndetur e tashmë nuk duhet të mbetemi thjesht në letër, duhet të vazhdojmë më tej, me projekte konkrete, në mënyrë që ky rrjet të prodhojë realisht risi në hapësirën akademike shqiptare”, - shprehet ai.
Universitetet e Tetovës nuk kanë stafin e mjaftueshëm akademik, e për këtë mund të kontribuojë më së miri Universiteti i Tiranës dhe ai i Prishtinës, në mënyrë që stafi akademik të jetë i kualifikuar dhe kompakt, si në Shqipëri e Kosovë, ashtu edhe në Maqedoni. “Ne kemi mungesë stafi dhe rrjeti që do të hapet e do të ngushtësojë bashkëpunimin mes nesh”, - thotë Sadi Bexheti. “Edhe tani kemi pedagogë nga Prishtina e Tirana që japin mësim këtu, por kjo është krejt ndryshe, kemi të bëjmë me një bashkëpunim institucional tashmë”, - shprehet zv. rektori i UEJL-së, Abdylmenaf Bexheti.
Bashkëpunimi mes universiteteve shqipfolëse do të thotë më shumë mundësi edhe për studentët sipas tyre. “Një universitet shqiptar nuk mund të konkurrojë kurrsesi me universitetet e tjera të Ballkanit, - shprehet Luan Ahma, zëvendësrektor i Universitetit të Prishtinës - por të gjitha universitetet së bashku janë në nivel të barabartë për sa i përket rajonit e mund që të konkurrojnë pa problem karshi tyre”.
Universiteti i Prishtinës është një ndër më të mëdhenjtë e rajonit. Plot 21 fakultete përmban institucioni i vetëm i arsimit publik në Republikën e Kosovës. “Një dinamikë e tillë u shërben universiteteve shqiptare, siç i shërben Universiteti i Tiranës dhe universitetet e tjera shqipfolëse, Universitetit të Prishtinës”, - thotë, prof. Luan Ahma.
Bashkimi akademik kombëtar
130 vjet pas themelimit të Lidhjes së Prizrenit e në pikën bashkuese të tri shteteve, Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë, në Kukës u mbajt samiti themelues i Rrjetit të Universiteteve Shqipfolëse. 130 vjet më parë, të bashkuar shqiptarët kërkonin më shumë të drejta brenda Perandorisë Osmane, e më pas u gjendën të copëtuar, në pesë shtete, pa pasur mundësinë e krijimit të strukturave të integruara shqiptare. Por tashmë, gjithçka rrjedh ndryshe. “Të gjitha këto nuk janë simbolika rastësore, është e mirëmenduar, - shprehet zëvendësrektori i Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë, Abdylmenaf Bexheti - Bashkimi është diçka që nuk mund të ndalohet dhe nuk ka kufij shtetërorë që mund ta bëjnë këtë”.
“Bashkimi akademik kombëtar është normal. Jemi në kohën kur po zbatohet Karta e Bolonjës e nëse nuk e nisim integrimin brenda qytetarëve që kanë të njëjtën gjuhë dhe të njëjtat tradita, si mund të arrijmë një bashkim në plan më të gjerë?”, - pyet retorikisht rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Sadi Bexheti.
Ndërsa, zëvendësrektori i Universitetit të Prishtinës e sheh më gjerë këtë bashkim. Sipas tij, Shqipëria e Kosova, minimalisht, e shqiptarët e Maqedonisë e ata të Malit të Zi, më gjerë, nuk kanë rrugë tjetër përveç bashkimit, jo atij në planin shtetëror, por në ekonomi, arsim, shoqëri, etj. “Të gjitha vendet do të luteshin të kishin këto mundësi” - thotë ai - “E shqiptarët e kanë këtë dhuratë nga zoti. Nëse Shqipëria, për shembull ka hidroenergjinë, Kosova ka termoenergjinë, çka përbën një kombinim të përsosur për një rajon të fuqishëm. Kështu edhe në arsim. Dikush ka pikë të fortë një drejtim, dikush një tjetër. Kjo e bën të pashmangshëm bashkimin akademik e ekonomik mes nesh. Madje jemi të vonuar”.
Doktoraturat e masterat
A kanë mundësi universitetet shqiptare që të japin doktoratura të vetme? Përgjigja duket se është jo. Kjo të paktën sipas tre krerëve të universiteteve që ne takuam. “Nëse Universiteti i Tetovës bashkëpunon me Universitetin e Prishtinës dhe atë të Tiranës pa diskutim që do të sjellë një rezultat shumë herë më të mirë për sa u përket doktoraturave”, – shprehet rektori i USHT-së, prof. Sadi Bexheti. Sipas tij, ky duhet të jetë në fokusin e universiteteve që përbëjnë rrjetin.
“Ne kemi bashkëpunim me Universitetin Politeknik e gjithnjë doktoraturat jepen në praninë e profesorëve të dy universiteteve. Nëse kjo do të institucionalizohet dhe do të marrin pjesë më shumë universitete, përbën një plus për botën akademike shqiptare sepse, kuptohet që diploma do të jetë më e vlefshme”, - thotë prof. Luan Ahma, zëvendësrektor i Universitetit të Prishtinës.
Por bashkëpunimi mund të jetë edhe një hap më tej, në mendimin e prof. Abdylmenaf Bexhetit. “Ne mund të japim programe masteri ndërmjet disa universiteteve, pa qenë nevoja për ta ngujuar këtë program vetëm në një institucion”, - shprehet ai, duke treguar se dy universitetet e Tetovës kanë një master të përbashkët nga programi ERASMUS i Bashkimit Evropian. “Ne kështu mund të krijojmë një ERASMUS në nivel kombëtar, mes universiteteve shqiptare”, - propozon prof. Bexheti.
Kërkimi shkencor
Por fusha ku pritet më shumë zhvillim në universitete është kërkimi shkencor. “Universitetet shqiptare në përgjithësi kanë qenë mësimdhënëse dhe kërkimi shkencor është lënë në plan të dytë. Vitet e fundit kemi një përpjekje për të ndryshuar këtë sistem dhe shpresojmë se do t’ia arrijmë. Natyrisht kur disa universitete bëjnë kërkime shkencore të financuara nga burime të ndryshme, rezultatet janë më të mira”, - shprehet prof. Luan Ahma.
Pamjaftueshmëria duket se e bën kërkimin shkencor të ndarë në universitete edhe më të pamundur. “Nëse Universiteti i Tiranës ka një fakultet shumë të mirë Mjekësie dhe në Tetovë e Prishtinë janë pedagogë shumë të mirë të kësaj lënde, por pa infrastrukturën përkatëse dhe pa numrin e nevojshëm për të bërë kërkime të nevojshme shkencore, atëherë Tirana duhet të jetë qendra shqiptare e Mjekësisë. E njëjta gjë vlen për Prishtinën për Veterinarinë për shembull, e kështu me radhë. Nuk duhet të kemi vlera mesatare në çdo fushë në të gjitha universitetet, kur mund të kemi vlera të mira në një fushë për çdo universitet”, - mendon prof. Abdylmenaf Bexheti.
Ndërsa rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Sadi Bexheti, shprehet se kjo është një mundësi për të konkurruar së bashku në projekte më të gjera. “Programi FP7 për kërkimet shkencore, ku janë pjesë të tria vendet tona, mund të shërbejë si një pikënisje mjaft e mirë. Mund të konkurrojmë me projekte, duke përdorur të gjitha burimet tona njerëzore dhe infrastrukturore”, – shprehet ai.
Nëse vite më parë shqiptarët ëndërronin të kalonin anën tjetër të kufirit, thjesht për të vizituar qoftë edhe të afërmit e mbetur në kahëtjetrin e telave me gjemba, sot çdo gjë është ndryshe. Sot, të gjithë mund të takohemi me shqiptarët e kudondodhur, e për më shumë, mund të studiojmë me ta, mund të qëndrojmë në të njëjtat banka, e të marrim dijet me cilësinë e përbashkët të profesorëve shqiptar në të tre shtetet e Ballkanit.