E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpallen kuotat e reja në universitete, asnjë ndryshim në tarifa

Këshilli i Ministrave ka miratuar kuotat e reja universitare dhe tarifat e shkollimit, të cilat këtë vit nuk do të kenë asnjë ndryshim. Të pakta janë ndryshimet në krahasim me një vit më parë, duke lënë pak a shumë të njëjtin status për në shkollat e larta. Kështu, sistemi i degëve të hapura nuk do të zbatohet as sivjet, ndërkohë që kuotat për studentët në universitete janë pak a shumë të njëjta, me ndryshime të vogla, si në rastin e Fakultetit të Mjekësisë, ku janë shtuar 50 vende të reja.

Kuotat

Edhe këtë vit, Universiteti i Tiranës do të ketë peshën kryesore në pranimin e studentëve të rinj, duke pasur një të katërtën e kuotave të universiteteve. Në këtë mënyrë, në total, universiteti më i madh publik në vend do të pranojë 5165 studentë e peshën më të madhe të tyre do ta mbajnë sërish degët e Mjekësisë dhe Drejtësisë. Ndërkohë, në vend të dytë e të tretë radhiten Universiteti i Vlorës dhe ai i Shkodrës me më shumë se 2 mijë studentë secili.

Ndryshimet e pakta këtë vit kanë prekur pozitivisht degën e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës, ku nga 250 kuota që ishin përcaktuar një vit më parë, sivjet do të pranohen 300 studentë.

Sakaq, sot janë përcaktuar edhe kuotat për Universitetin Ushtarak “Skënderbej”, ku në degën e Administrim Biznesit do të pranohen 50 studentë e në degën Elektronikë do të pranohen 90 të tjerë. Vlen të theksohet se sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, ndër këta studentë 20 për qind duhet të jenë medoemos femra.

Saranda e Kukësi pa studentë?

Por, në vendimin e sotshëm të Këshillit të Ministrave nuk janë përcaktuar kuotat për në degën e Anglishtes të filialeve të Universitetit të Tiranës në Kukës dhe në Sarandë. Burime nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur për “standard” se për këto degë do të ketë një vendim të posaçëm gjatë ditëve në vijim, pasi edhe në Formularin A2 nuk janë përcaktuar dy degët e reja të filialeve. Ndërkohë, për dy filialet janë përcaktuar kuotat për në filialet e Fakultetit Ekonomik.

Tarifat

Tarifat e shkollimit nuk do të ndryshojnë për të dytin vit me radhë. Kështu, të gjitha degët do të kushtojnë nga 15 mijë lekë të reja në 30 mijë. I vetmi përjashtim përbën dega e Regjisë së Filmit në Akademinë e Arteve. Një maturant që dëshiron të vazhdojë studimet në këtë degë do të duhet të fusë dorën thellë në xhep, pasi një vit studimi do t`i kushtojë plot 80 mijë lekë të reja.

Ndërkohë që degët më të parapëlqyera vijojnë të kenë tarifë 30 mijë lekë të reja. Mjekësia, Drejtësia, Arkitektura dhe degë të tjera që çdo vit kanë më shumë se 2 mijë kërkesa nga ana e maturantëve, do të jenë edhe këtë vit degët më të shtrenjta. Ndërkohë, përgjithësisht në universitetet e rretheve tarifat variojnë nga 150-200 mijë lekë të vjetra.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›