E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapet falsifikuesi i pensioneve, kërkonte 900 mijë lekë

Raste pa fund falsifikimesh të librezave të pensioneve, ndërkohë që pas arrestimit disa ditë më parë të katër ish-zyrtarëve të lartë të minierës së Priskës, një tjetër person është vënë në pranga nga policia e kryeqytetit. Qemal Caka, 41 vjeç nga Tirana, është arrestuar mbrëmjen e së martës në kuadër të operacionit të koduar “Qelia e hapur 2”, kur specialistët e seksionit Kundër Korrupsionit, në Sektorin Kundër Krimit Financiar, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale sekuestruan sërish një sërë dokumentesh zyrtare që vërtetonin falsifikimet e bëra nga Caka.

Sipas të dhënave zyrtare të policisë së Tiranës një ditë më parë, mësohet gjithashtu se për periudhën kohore të viteve 1998 deri më vitin 2004, në bashkëpunim me punonjës të Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore si dhe persona të tjerë të implikuar, 41-vjeçari ka përgatitur kundrejt përfitimit rreth 10 dosje pensionesh, me dokumente të falsifikuara. Ndërkohë, policia tha se për çdo falsifikim të bërë, Caka u kërkonte personave që do të përfitonin pension në mënyrë të jashtëligjshme, një shumë prej 900 mijë lekësh të vjetra.

Verifikime të njëpasnjëshme të dokumentacionit mes dosjeve të pensioneve janë bërë në kryeqytet dhe jo vetëm, kur duket se dhe rastet e shkeljeve dhe abuzimeve sa vijnë e dalin në pah. Zbulimi më i fundit nga sektori i Krimit Financiar ka qenë Qemal Caka, një 41-vjeçar me banim në Tiranë, i cili kundrejt ryshfeteve të majme, dyshohet të ketë falsifikuar 10 dosje pensionesh.

Detajet janë bërë të ditura nga të dhëna të policisë së kryeqytetit menjëherë pas arrestimit të tij, sipas të cilave, pas një hetimi disamujor i shtrirë me synim kapjen dhe dokumentimin e këtij aktiviteti, u konkludua se Caka, këtë aktivitet e kryente kundrejt shumës së parave prej 900 000 lekësh për çdo shtetas, shumë të cilën e përfitonte në vazhdimësi dhe aktualisht.

Gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e tij iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sërë dokumentesh shkresore për të cilat dyshohet se janë të falsifikuara. Ndërkohë që materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë për konsumim të veprave penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Falsifikim të dokumenteve” si dhe “Falsifikim të akteve të gjendjes civili” të kryera në bashkëpunim.

Sakaq, policia tha se aktualisht nën kontrolle ndodhen dhe një numër i madh dosjesh të pensioneve dhe se këto janë dërguar në prokurori nga vetë Drejtoria Rajonale e Sigurimeve Shoqërore.

Rasti

Arrestimi i 3 ish-drejtuesve të lartë të minierës në Priskë

Javën e kaluar, operacioni “Qelia e hapur” ka futur brenda Qazim Laçin, ish-drejtori i minierës së boksideve në fshatin Priskë, Tiranë, Fatmir Sulajn, ish-shef personeli në këtë minierë si dhe Rabie Puplën, ish-shefe e sigurimeve shoqërore, po në këtë vend. Sipas të dhënave të policisë për këto arrestime të premten e kaluar, dyshohet se të tre personat dyshohet se kanë përfituar shuma të konsiderueshme parash për të bërë dokumente false, që persona të ndryshëm të përfitonin pensione me pa të drejtë. Policia tha se deri më tani ndaj të arrestuarve janë gjetur prova në 16 dosje të dorëzuara në Sigurimet Shoqërore, ku persona të ndryshëm kanë përfituar pensione, ndërsa është bërë e ditur se shumat e marra nga një përfitues ka qenë 50 mijë lekë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›