Pagat ; Rriten pagat e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Brendshme
Oficerët e kontaktit, për kohën që shërbejnë pranë Ministrive të Brendshme homologe të shteteve të ndryshme, përfitojnë edhe kompensim për koston e jetesës si më poshtë: 300 euro për vendet e grupit të parë, 260 euro për vendet e grupit të dytë, 230 euro për vendet e grupit të tretë, 200 euro për vendet e grupit të katërt, 150 euro për vendet e grupit të pestë. Gjithçka ka ardhur pas propozimit të ministrit të Brendshëm dhe atij të Financës, ndërsa më 30 qershor të këtij viti, Këshilli i Ministrave miratoi projektvendimin për “Përcaktimin e pagave dhe të shtesave mbi pagë të punonjësve shqiptarë, për kohën që shërbejnë si oficer kontakti, pranë Ministrive të Brendshme homologe të shteteve të ndryshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike në Republikës së Shqipërisë”. I siguruar nga gazeta “standard”, në projektvendim thuhet se pagesa për oficerët e kontaktit, që shërbejnë në vendet e Evropës bëhet në euro, ndërsa për vendet e tjera në USD, ndërkohë që mësohet se paga mujore e oficerit të kontaktit është 750 euro dhe kjo rritje përllogaritet të shkojë në 40 për qind. Ndërkohë, trajtimi me pagesë, sipas këtij vendimi, i oficerit të kontaktit fillon nga data e mbërritjes së tij në përfaqësi. Deri në këtë çast, ai vazhdon të trajtohet me pagesën e vendit të tij të mëparshëm. Po kështu, punonjësit shqiptarë, të Ministrisë së brendshme, të atashuar në përfaqësitë diplomatike në Republikës së Shqipërisë, për kohën që shërbejnë si oficer kontakti, pranë Ministrive të Brendshme homologe të shteteve të ndryshme, të trajtohen me pagesë për gradë dhe shtesë për përfaqësim. Paga e oficerëve të kontaktit të Ministrisë së Brendshme njësohet me pagën e gradës “Këshilltar”, në shërbimin e jashtëm.