E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gati planet për borën dhe orteqet

29/12/2004  Ekspertët e qeverisë kanë kërkuar që në të gjitha zonat e rrezikuara nga bora të mbahet një inventar i qartë të makinave që shërbejnë për pastrimin e rrugëve nga dëbora. Sipas strategjisë për emergjencat civile, zonat më të prekura nga dëbora e madhe dhe orteqet janë Tropoja, Kukësi, Dibra, Puka, Shkodra dhe Mati. Sipas të dhënave, në rast se ngricat dhe bllokimi i rrugëve zgjat më shumë se 30 ditë, do të kërkohet ndërhyrja e strukturave të posaçme, pasi vlerësohet se popullsia e këtyre zonave nuk mban ushqime rezervë për më shumë se 30 ditë. Rrugët zakonisht bllokohen kur trashësia arrin në 30 centimetër. Gjithsesi, ndikimi prej ngricave dhe dëborës cilësohet afatshkurtër dhe pa pasoja të mëdha ekonomike mbi popullsinë.

Stuhitë e forta mund të sjellin një dëm të madh në sistemin e energjisë, ndërsa temperaturat e ulëta mund të sjellin ngrirjen e sistemit të ujit të pijshëm. Detyrat për përballimin e situatave të tilla janë paralajmërimi në kohë i popullsisë, sensibilizimi për mbajtjen e rezervave ushqimore më të mëdha dhe pastrimi sa më i shpeshtë i rrugëve nga dëbora. Sigurimi i ngrohjes dhe i strehimit, garantimi me veshje të leshta dhe batanije janë cilësuar si mjetet më të domosdoshme. Në masat mbrojtëse është përfshirë dhe mbyllja e shkollave dhe shërbimeve të tjera, të cilësuara jo thebësore. Ndërsa qeveria duhet të marrë masa për përforcimin e ambienteve, ku ofrohen shërbimet mjekësore. Në strategjinë për emergjencat civile, Shqipëria është cilësuar si një vend, i cili preket shpesh nga dëbora e madhe si dhe nga orteqet.

Votimi në Kuvend

Strategjia e emergjencave civile do të nisë të diskutohet në Kuvendin e Shqipërisë në muajin shkurt, ndërsa vetëm në muajin mars pritet të kalojë për miratim. Burimet nga të dy partitë kanë theksuar se në komisione do të kërkojnë marrjen e masave më konkrete dhe më të qarta për situata të ndryshme, pasi drafti i paraqitur është tepër përshkrues dhe nuk shtron hapa të qartë. Gjithsesi është përshëndetur fakti që ekspertët kanë evidentuar të gjitha rastet që mund të krijojnë emergjenca për popullsinë shqiptare. Gjithsesi pritet që në mbledhjet e parlamentarëve të kërkohet rritja e fondit të rezervave të shtetit, që përdoren në rastet e fatkeqësive natyrore. Për strategjinë mësohet se ekspertët kanë punuar disa muaj me radhë. Ndërsa diskutimi në Këshillin e Ministrave, çështja ka kaluar në një sërë hapash. Kjo si për rëndësinë që ka strategjia në fjalë, ashtu dhe për pikat kritike të përmendura në të. Nga ana tjetër është kërkuar që mjetet e Ministrisë së Mbrojtjes të jenë në dispozicion të strukturave të përballimit të emergjencave civile. Nga ana tjetër është kërkuar që të ketë plane sa më të qarta për thithjen e financimeve të huaja.

Shërbimi i kërkim shpëtimit është i përbërë në 13 grupe. Sipas të dhënave, ata janë të specializuar për tërmetet, përmbytjet, për zjarret, për ndotjet kimike, për emergjencat në zonat malore dhe për hapjen e rrugëve nga dherat dhe dëbora. Të 13 grupet janë në varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në shërbim të emergjencave civile janë vënë 56 persona dhe 7 helikopterë. Dy të tipit AB-205, 5 AB-206 dhe kanë një kapacitet transportues prej 30 vetash. Gjithashtu janë vënë në dispozicion 6 motovedeta, 2 polumbare në rastet të emergjencave në det. Këto janë në shërbim të batalionit të operacioneve speciale.

Në rastet e përmbytjeve, Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit ka vënë në dispozicion 6 autobote, ndërsa janë dhe 5 mjete për saldim dhe prerje. Gjithashtu një fadromë do të jetë në dispozicion të strukturave të emergjencave civile për lëvizjen e dherave. Dy kamionë do të jenë në dispozicion për lëvizje inertesh.

Në rastet e bllokimit të rrugëve ministria e Mbrojtjes ka vënë në dispozicion 6 buldozerë me zinxhir, ndërsa për pastrim dëbore janë 3 buldozerë. Në ndihmë të të prekurve është marrë masa për garantimin e një spitali fushor ndërsa 7 autobote do të jenë garant për pastrimin e ujit të pijshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›