E Hënë, 2 Nëntor 2026

KQZ: Partitë po dështojnë zgjedhjet

29/12/2004  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka deklaruar dje me anë të zëdhënësit Erton Sinani se vonesat e miratimit të kodit të ri elektoral po vënë në rrezik procesin e ardhshëm zgjedhor. Me anë të një deklarate për median, KQZ është shprehur e pakënaqur me zvarritjen që forcat politike më të mëdha në vend po i bëjnë miratimit të Kodit Elektoral, që sipas rekomandimeve të Bashkimit Evropian, duhej të miratohej brenda këtij viti. "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vëren me keqardhje faktin që Kuvendi i Shqipërisë nuk mundi të miratojë brenda vitit 2004 amendimet në Kodin Zgjedhor. Në këtë mënyrë reforma zgjedhore po pëson një shtyrje tjetër. Vonesa në miratimin e këtyre ndryshimeve dëmton përgatitjen e zgjedhjeve të vitit 2005 dhe vë në rrezik real përmbushjen e standardeve ndërkombëtare", thuhet në deklaratën e KQZ-së. Nga ana e saj KQZ u kujton forcave kryesore, PS-së dhe PD-së, se ndërkohë që ato merren me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, në Kuvend duhej të kishte filluar procesi i përgatitjes së zgjedhjeve të vitit 2005. Ky proces, sipas KQZ-së, jo vetëm që nuk ka filluar, por mosmarrëveshjet mes dy forcave politike kanë bllokuar punën e institucionit që merret me organizimin e zgjedhjeve. "Vonesa në miratimin e amendimeve të Kodit Zgjedhor do të sjellë vonesa të tjera në përmbushjen e rekomandimeve apo angazhimeve ndaj BE-së, sikurse janë dhe miratimi i rregullores së re të KQZ-së, miratimi i planit të veprimit për zgjedhjet e ardhshme, përgatitja dhe zhvillimi i programeve të trajnimit të komisionerëve etj.", vazhdon më tej deklarata e KQZ-së. Në lidhje me ndarjen e re zonale, ai tha se kjo është miratuar me vota të plota në një mbledhje të KQZ-së.

Zvarritjet

Por duket se miratimi i Kodit Zgjedhor do të kërkojë akoma kohë, derisa dy forcat politike kryesore të kenë rënë dakord për miratimin e hartës së re elektorale. Kjo është dhe nyja e pazgjidhur e këtij procesi, zgjidhja e së cilës do t'i hapte rrugën miratimit të amendimeve të Kodit Zgjedhor. Deri më tani asnjë nga kampet e politikës si maxhoranca ashtu dhe opozita nuk ka lëshur terren, lidhur me ndryshimet e zonave zgjedhore. Demokratët, madje, kanë shkuar deri aty sa kanë deklaruar dhe bojkotimin e zgjedhjeve në rast se nuk miratohet harta e re elektorale. Ndërkohë ata nuk pranojnë votimin e Kodit Zgjedhor, i cili kërkon 84 vota deputetësh për miratim, kuorum i cili nuk plotësohet deri tani nga socialistët. Opozita kërkon që bashkë me Kodin të kalojë dhe ndarja zonale. Sipas rekomandimeve të Komisionit Evropian, të dy këto procese duhej të miratoheshin brenda dhjetorit. "Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon forcave politike të përfshira në reformën zgjedhore që të reflektojnë përgjegjësinë e tyre ligjore dhe të gjejnë rrugën dhe mënyrën për të miratuar ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sa më shpejt që të jetë e mundur, duke i hapur rrugë procesit të përgatitjes së zgjedhjeve për Kuvend të vitit 2005", përfundon deklarata e KQZ-së.

Rusmali: Akuzat e PS janë bajate

Sekretari për Çështjet Juridike në PD, Ilir Rusmali, ka thënë dje se ajo që po shkatërron konsensusin për zgjedhjet është mazhoranca. Sipas tij, demokratët e kanë kërkuar që prej vitesh ndarjen e re zonale, pasi ndarja aktuale e kryer në vitin 2000 lë shtigje manipulimi dhe është antikushtetuese. "Kjo mazhorancë me shumicë votash pjesën më të madhe të opsioneve të paraqitura nga PD i ka rrëzuar dhe ka preferuar opsionet e PS-së. Madje e ka pranuar raportin e përgatitur nga komisioni i posaçëm me shumicë socialiste, sepse PD është e dedikuar ndaj kompromisit, ndaj konsensusit politik dhe ndaj nevojës për zhvillimin e shpejtë të reformës zgjedhore", tha Rusmali. Sipas demokratëve, akuzat e hedhura një ditë më parë nga socialistët, me anë të zëdhënësit politik të PS-së, Gjergji Koja, se opozita po dhunon zgjedhjet në Shqipëri, nuk qëndrojnë. "Në kundërpërgjigje të akuzave bajate, unë ju kërkoj që t’i përcillni opinionit publik shqiptar ca të vërteta, që janë të pakundërshtueshme, sepse janë shifra dhe të dhëna që nuk varen nga vullneti im apo i Kojës. PD ka kërkuar me insistim prej vitesh që të bëhet rindarja e zonave elektorale, pasi ndarja e kryer në vitin 2000, nga PS, ka qenë e shtrembër, antikushtetuese, manipuluese, i ka dhënë pa të drejtë PS të paktën 8 mandate, të cilat ajo nuk i ka merituar", tha Rusmali.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›