Moisiu: Në janar nisin bisedimet për datën e zgjedhjeve
29/12/2004 Në mesin e muajit janar pritet të nisin takimet mes krerëve të partive politike dhe Presidentit të Republikës, për ta arritur në përcaktimin e datës së zgjedhjeve. Burimet kanë bërë të ditur se muaji janar do të shënojë zgjidhjen e kontraditave në Kodin Zgjedhor, mbi përfundimin e mandatit të parlamentit të Shqipërisë. Nga ana e tij, kreu i shtetit ka deklaruar se vendimin do ta marrë vetëm pas konsultimeve me forcat politike në Shqipëri. Megjithatë, ai ka shprehur preferencën që votimet të zhvillohen ose në muajin qershor, ose në muajin shtator. Duke u mbështetur në argumentet e juristëve, Presidenti ka deklaruar se kodi zgjedhor përcakton se data më e afërt e zgjedhjeve është 3 korriku, ndërsa java e parë e shtatorit është afati më i fundit. Duke parë se muaji korrik dhe gusht cilësohet si muaj pushimesh, Presidenti ka kërkuar nga forcat politike që të reflektojnë mbi datën e zgjedhjeve. Ndërsa do të jetë muaji janar që do të sjellë zgjidhjen e kësaj çështjeje për t'i hapur rrugën nisjes së fushatës elektorale. Burimet kanë bërë të ditur se Moisiu ka shprehur angazhimin për bisedime si me partitë e vogla parlamentare ashtu dhe me dy partitë e mëdha, PD dhe PS. Data e zgjedhjeve pritet të sjellë dhe një tjetër përplasje mes socialistëve dhe demokratëve, pas krizës aktuale për kodin zgjedhor. Deputetët e opozitës kanë shprehur bindjen e tyre se votimet për deputetët e ardhshëm duhet të zhvillohen në muajin qershor. Ndërsa Partia Socialiste ka lënë të nënkuptuar se është shtatori muaji kur duhet të vendosen piketat për përfaqësuesit e popullit në Kuvend. Duket se do të jenë konsultimet në selinë e kreut të shtetit që do të zgjidhin konfliktin më të afërt mes opozitës dhe mazhorancës. Ndërsa në Kuvend ka mbërritur propozimi për ndryshimin e kodit për sa i përket kritereve për vendosjen e datës së votimeve.