E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Maqedonisë, Sejdiun e "mohon" edhe Mali i Zi

Pas Presidentit maqedonas Ivanov, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, është anashkaluar edhe nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Mediat kosovare bënë të ditur dje, se në Samitin e presidentëve të shteteve të Evropës Juglindore, me moton "Diversiteti i pasurisë kulturore-menaxhimi dhe promovimi turistik", që do të mbahet sot në Cetinje, në ftesat zyrtare të Vujanoviç nuk është përfshirë Presidenti Sejdiu. Një gjë e tillë është bërë e ditur nga kabineti i Presidentit të Malit të Zi, ndërkohë që zyra e shtypit të Presidentit të Kosovës ende nuk ka reaguar lidhur për këtë. Në këtë forum të shteteve të Evropës Juglindore do të marrin pjesë krerë shtetesh të Kroacisë, Maqedonisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Shqipërisë etj., të cilët do të priten nga Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Në forum do të jenë gjithashtu të pranishëm sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Devis, dhe drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Koiciro Macura. Gjatë punimeve të Forumit, të organizuar nga UNESCO, - organizata më e madhe ndërkombëtare e angazhuar në sektorët e edukimit, shkencës dhe kulturës, do të diskutohet mbi bashkëpunimin rajonal, politik, arsimor e kulturor mes vendeve të Evropës Juglindore. Gjithashtu, pjesëmarrësit do të diskutojnë për kontributin e UNESCO-s në rajon, Shqipëri e Kosovë. Në këtë forum, Shqipëria do të përfaqësohet nga Presidenti Bamir Topi, i cili do të zhvillojë edhe takime dypalëshe me Presidentin e Malit të Zi dhe me homologë e drejtues të tjerë të lartë, pjesëmarrës në forum.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›