Gati propozimi për Topin,priten emrat e Qeverisë
Aristir Lumezi
Verifikimi i mandateve në Parlament i hap rrugën Partisë Demokratike t’i dërgojë letër Presidentit Bamir Topi ku të mandatojë kryetarin Sali Berisha si Kryeministër gjatë mandatit të dytë. Ndërkohë, burime pranë Qeverisë bëjnë të ditur për gazetën se gjatë ditës së enjte Kryeministri Berisha pritet të shpallë emrat e qeverisë së re.
Kushtetuta
Kreu i ekzekutivit deklaroi pak ditë më parë në një konferencë për shtyp se është në pritje të verifikimit të mandateve për të proceduar më pas me hapat që parashikohen edhe në Kushtetutë për emërimin e Kryeministrit të vendit. Në nenin 96, pika 1 e Kushtetutës përcaktohet procedura e emërimit të Kryeministrit të ri. Sipas saj, duhet që forca që ka rezultuar fituese në zgjedhjet e 28 qershorit, ose koalicioni fitues, që në rastin konkret është “Aleanca e ndryshimit” e kryesuar nga Partia Demokratike duhet të përcaktojë fillimisht emrin e Kryeministrit të ri. Më pas është kreu i shtetit ai që e emëron dhe i hap rrugë formimit të Qeverisë. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, thuhet në nenin 96, pika 1 e ligjit themeltar të shtetit. Pas emërimit të kreut të qeverisë, procedura pasardhëse është ajo e formimit të kabinetit qeveritar dhe nxjerrjes e dekretit nga ana a kreut të shtetit. Dekreti i kreut të shtetit do të votohet në një nga seancat e ardhshme parlamentare, një votimi të vetëm, ku janë të përfshirë programi i qeverisë, emri i kryeministrit dhe përbërja e kabinetit. Qeveria duhet të miratohet në Parlament brenda një periudhe 10 ditore. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, thuhet më tej në nenin 97 të kushtetutës.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha deklaroi disa ditë më parë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Panorama” se ka gati emrat e Qeverisë së re. Ndërkohë, në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat kreu i Qeverisë u shpreh se kabineti që është duke ndërtuar pas zgjedhjeve të 28 qershorit, ka qenë më i vështiri që ka bërë ndonjëherë. “Gjatë karrierës time politike kam krijuar kabinete, por kësaj here përzgjedhjen e kam më të vështirë se asnjë herë tjetër. Kurrë ndonjëherë më parë nuk kam pasur personalitete kaq të shumta, të cilat meritojnë plotësisht të ulen në karrigen e ministrit”, u shpreh Berisha. Gjatë mbledhjes së fundit ai konfirmoi Astrit Patozin në postin e kryetarit të grupit parlamentar dhe Jozefina Topallin në posten e kryeparlamentares edhe për katër vitet e ardhshme. Vendosja e Patozit në postin e kreut të grupit, rrëzon përfundimisht të gjitha hipotezat për marrjen nga ana e tij e një posti në qeveri si dhe kalimin e Lulzim Bashës, ministrit aktual të jashtëm, në postin e kryetarit të grupit parlamentar. Ndërkohë, emrat e kabinetit qeveritar duket se janë dilema më e madhe e Berishës. Burimet bëjnë të ditur se Basha, Olldashi, Ruli e Pollo do të kenë poste të rëndësishme në kabinet, ndërkohë që kanë shtuar se deri tani është i konfirmuar vetëm Ridvan Bode dhe pranë konfirmimit është ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu. Kreu i Qeverisë në ditët e ardhshme pritet të mbyllë marrëveshjen edhe me një tjetër parti parlamentare, partinë për Drejtësi dhe Integrim, e cila ka vetëm një deputet. Burime nga Qeveria thanë për gazetën se kjo forcë do të përfaqësohet në kabinet vetëm me zv/ministra. Ndërkohë, mospërfshirja në koalicion e PBDNJ-së, bën që kreu i Qeverisë t’i ofrojë postin e ministrit të Punës, Kosta Barkës ose Spiro Kserës.