E Diel, 1 Nëntor 2026

Peticioni i analistëve për Berishën: Jo Mediu në kabinet

 

Një grup gazetarësh dhe analistësh i kanë kërkuar dje Kryeministrit Sali Berisha të mos bëjë pjesë të kabinetit të tij kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Andrea Stefani, Ardian Klosi, Blendi Kajsiu, Fatos Lubonja, Lorenc Vangjeli, Henri Çili, Mentor Nazarko, Mustafa Nano dhe Skënder Mixhozi kanë nënshkruar një peticion, në të cilin i referohen procesit gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, si argumentin kryesor të mospërfshirjes së kreut të republikanëve në Qeveri. “Ne një grup gazetarësh dhe analistësh të medias, shohim me shqetësim qytetar mundësinë e përfshirjes së ish-ministrit të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Republikane Fatmir Mediu në kabinetin e ri Berisha. Siç është e mirënjohur për publikun e gjerë, zoti Mediu është në një proces gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, e cila mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, pa llogaritur këtu shkatërrimet materiale. Drejtësia shqiptare po heton dhe gjykon mbi përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes”, thuhet në këtë peticion. “Edhe pse në demokraci parimi i prezumimit të pafajësisë është e drejtë e çdo qytetari, përfshi këtu kjo dhe për zotin Mediu, duke gjykuar natyrën thellësisht politike të institucionit të Qeverisë së të gjithë shqiptarëve, ne gjykojmë që prania në kabinetin Berisha e zotit Mediu, paraqet një problem të rëndë moral dhe politik. Deri në përfundim të procesit gjyqësor, që po heton mbi përgjegjësinë e zotit Mediu, në tragjedinë e Gërdecit dhe zyrtarëve të tjerë, ne gjykojmë se qëndrimi jashtë kabinetit ministror i tij është minimumi i mundshëm që shoqëria shqiptare të jetë e qetë se kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme dhe me një sens normal moraliteti”, vijon më tej letra e firmosur nga analistët dhe gazetarët. Sipas tij, qëndrimi jashtë Parlamentit i Mediut do të demonstronte përgjegjësi politike dhe publike kundrejt ngjarjes së Gërdecit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›