Ish-ushtarakët në protestë për statusin
• Ashtu siç kishin paralajmëruar edhe më parë, ushtarakët e liruar dhe ata në rezervë kanë dalë dje në protestë për arsye se ligji për statusin e tyre nuk është vënë ende në zbatim.Protestës paqësore të ish-ushtarakëve i janë bashkuar dhe disa deputetë të LSI-së dhe PAD-së. Në mënyrë paqësore, qindra ish-ushtarakë kanë protestuar para sheshit "Skënderbej" e më pas i janë drejtuar sheshit "Nënë Tereza" me destinacion Kryeministrinë. Gjatë rrugës ata kanë ndaluar edhe para Ministrisë së Mbrojtjes, ku me anë të parullave kanë kërkuar zbatimin e ligjit. Më pas, ata kanë vazhduar protestën e tyre para Kryeministrisë, ku kanë qëndruar për disa minuta me radhë. Me anë të kësaj proteste ata i kanë kërkuar kreut të qeverisë, Berisha, që të mbajë premtimin e bërë pak kohë më parë lidhur më çështjen e tyre. Me anë të kësaj proteste, ish-ushtarakët kërkojnë që qeveria të respektojë vendimin e formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese për trajtimin me pension të mijëra ushtarakëve, sipas gradave që secili prej tyre ka pasur në ushtri. Në protestën e tyre të djeshme ata nuk kanë ngurruar të kërkojnë edhe dorëheqjen e ministri të Mbrojtjes, pasi sipas tyre, ministria që ai drejton po pengon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Ish-ushtarakët kanë kërkuar që t'i jepet fund një herë e mirë sorollatjeve të tyre, madje ata kanë deklaruar se nëse qeveria nuk i jep një zgjidhje kësaj situate, atëherë ata do të dalin sërish në protesta, të cilat do të jenë edhe më të përshkallëzuara. Por edhe pas kësaj proteste, zyrtarët e qeverisë ende nuk e kanë përcaktuar se çfarë do të bëhet me ish- ushtarakët.