Në mars nis punën operatori i tretë celular
• Në mars të vitit të ardhshëm, përveç dy kompanive të celularit do të nisë të operojë edhe operatori i tretë "Eagle Mobile".Vetëm pak ditë më parë drejtuesit e "Eagle Mobile" kanë firmosur kontratën e bashkëpunimit me kompaninë "Huawei Technologies" për implementimin e gjithë infrastrukturës teknike. Kompania "Huawei" me anë të kësaj marrëveshjeje do të bëjë të mundur që "Eagle Mobile" të ketë infrastrukturën teknike të nevojshme për sistemin 3G. Sipas kësaj marrëveshjeje, "Eagle Mobile" do të fillojë me shërbimet e tij që nga muaji mars 2008. Vlera e këtij investimi është 26 milionë euro. Gjatë ceremonisë së firmosjes së kontratës, që u zhvillua në Stamboll presidenti i këshillit drejtues të "Calik Holding", Ahmet Calik, theksoi se "Ky është një tjetër hap i rëndësishëm në investimin që do të realizohet për "Eagle Mobile", ku nëpërmjet të cilit konsumatori shqiptar do të përfitojë shërbimet më të mira dhe cilësore të standardeve botërore". Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i "Eagle Mobile", në fjalimin e tij theksoi, se ndihet shumë i lumtur që nëpërmjet kësaj marrëveshjeje me një nga kompanitë më të mëdha në botë përsa i përket këtij sektori, do të bëhet e mundur ofrimi i teknologjisë më të fundit dhe shërbimeve cilësore. Dhe çfarë është më e rëndësishme, kjo teknologji do të jetë gati dhe për sistemin 3G. Me mbylljen e procesit të privatizimit të "Albtelekom"-it, operatori i tretë celular i përket pronarëve të rinj. Kështu "Eagle Mobile", me privatizimin e "Albtelekom"-it i kaloi shoqërisë se telekomunikacionit "CETEL", e cila është pjesë e grupit "Calik Holding". 76% të aksioneve i zotëron konsiorsumi i përbërë nga grupi "Calik" dhe "Turk Telekom". 80% të aksioneve brenda konsiorsumit të quajtur me emrin e ri "CT Telekom" zotërohen nga "CETEL" dhe 20% nga "Telekomi Turk".