E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gati të verifikojmë 70 mijë numra të rremë identiteti

Reagimi i PS-së

Partia Socialiste deklaroi dje se është e gatshme të verifikojë 70 mijë numra të rremë kartash identiteti. Në një komunikim të posaçëm me median, deputeti Artan Gaçi theksoi se “dje zoti Berisha tha se janë fletëhyrje në kazino, sot thonë tjetër gjë, kurse ne jemi gati t’i verifikojmë një për një në kutitë e Ruzhdieve, jo vetëm numrat e kartave false të publikuara nga kryetari grupit, po të paktën 70 mijë numra të rremë identiteti më 28 qershor”. Sipas tij, nuk është transparenca dhe e vërteta që i pengon vizat, po keqqeverisja e vendit dhe korrupsioni elektoral me karta e pasaporta false si në Ruzhdie. “Këta vjedhacakë e frikacakë që nuk kanë kurajën të hapin kutitë, s’duan ta çojnë Shqipërinë në Europë, po ta bëjnë çiflig për veten e tyre”, nënvizoi Gaçi. Dy ditë më parë, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, nxori në seancën e Kuvendit karta identiteti të falsifikuara dhe që sipas tij janë përdorur në zgjedhjet e 28 qershorit. Ruçi tregoi disa raste, mes të cilave i njëjti portret ishte deri në katër karta të ndryshme identiteti.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›