Blushi në Korçë: Listat e ushqimeve, më të mëdha se gjatësia fizike e Berishës
Ben Blushi, deputeti i Partisë Socialiste, është ndalur derë më derë në qytetin e Korçës, ku ka folur për programin me banorët, për problemet që i shqetësojnë ata, si dhe për listat e borxheve me ushqime, të cilat ai i cilësoi me keqardhje që janë më të gjata se gjatësia e fizike e Sali Berishës. Blushi ka diskutuar me banorët e lagjes numër 6 të Korçës për arsyet përse ata duhet të votojnë. Ai tha se nuk kishte shkuar për të kërkuar vota, por për të parë fytyrën e vërtetë të varfërisë.
Unë sot kam ardhur në këtë zonë të Korçës, jo për të kërkuar votat, por për të parë fytyrën e vërtetë të varfërisë. Për të parë se si ky qytet është varfëruar në katër vitet e fundit, sesi njerëzit kanë humbur punën, kanë humbur shpresën, kanë humbur mundësitë për të jetuar një jetë me dinjitet, sesi qeveria ka braktisur me mijëra qytetarë të Korçës dhe shumë qytetarë të Shqipërisë; sesi listat e ushqimeve janë zgjatur më shumë se gjatësia fizike e Sali Berishës; se si gra, burra, fëmijë jetojnë pa pasur mundësi që nesër të ngrihen në mëngjes dhe të gjejnë një punë apo të shkojnë në punë; se si baballarët dalin nga shtëpia dhe nuk kthehen dot në darkë për të çuar një ushqim për fëmijët e tyre. Pra, në përgjithësi e gjithçka është varfëruar këto 4 vjet dhe Korça që kemi sot është më e varfër se para 4 vjetësh. Ndoshta qyteti më i varfër në këto 4 vjet, u shpreh Blushi. Më tej ai shprehu bindjes që në radhë të parë njerëzit kanë nevojë për një shpresë, kanë nevojë për një shpresë për të parë njerëz që kanë vetëm një projekt, jo se si të marrin votat e tyre, por se si të mundin varfërinë. Ne kemi dalë në këtë garë zgjedhore për të mundur varfërinë në Shqipëri dhe pa dyshim për ta mundur atë edhe në Korçë. Unë ju them me plot bindje se qeveria e re e Partisë Socialiste do të shohë varfërinë në sy, duke u përpjekur pa dyshim të krijojë vende pune për shqiptarët, ti japë mundësi qyteteve tona të zhvillohen. Ti japë mundësi të rinjve të gjejnë një punë në Shqipëri, punë me dinjitet.