E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gattuso u ‘shmanget shuplakave’

Nga Express më 24 shkurt 2011 në ora 10:34

Mesfushori i Milanit, Gennaro Gattuso ka konfirmuar se nuk do të udhëtojë në White Hart Lane për ndeshjen e kthimit të fazës eliminatore të Ligës së Kampionëve kundër Tottenhamit për t’iu shmangur ‘shuplakave’.

Gattuso do të mungojë në ndeshjen e ardhshme kundër Tottenhamit për shkak të suspendimit, pasi u ndëshkua me karton të verdhë në humbjen 1-0 në San Siro javën e kaluar. Mirëpo, veprimet e tij në fund të takimit e kanë detyruar italianin të mbetet në Milano në vend se të shkojë në përkrahje të ekipit të tij në veri të Londrës.

Gattuso u dënua për katër ndeshje nga UEFA, pasi kishte goditur me kokë ndihmës trajnerin e Tottenhamit, Joe Jordan, pas përfundimit të ndeshjes. Ai insiston se Jordan ishte i gatshëm për konfrontim dhe pavarësisht dëshirës për të udhëtuar në Angli, Gattuso ka pranuar se do të jetë më mirë të mbetet në shtëpi.

“Do të doja të shkoja në White Hart Lane për ndeshjen e dytë, por jam këshilluar të mos e bëj këtë. Më është thënë se do të jenë 37 mijë njerëz, të cilët duan të më japin shuplakë, andaj do të mbetem në Milano. Isha me fat që Zlatan Ibrahimoviç nuk ishte me mua kur ndodhi konfrontimi me Jordanin. Nëse do të kishte qenë edhe ai aty, kacafytja do të vazhdonte. Kur kam shkuar drejt Jordanit në fund të ndeshjes, ai i hoqi syzet dhe ishte i gatshëm për përballje”, tha Gattuso për programin Le Iene.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›