Gatuzo zhvlerëson Kakanë: Nuk është më i njëjti
Kaka te Real Madridi nuk është më i njëjti. Të paktën ky është mendimi i Xhenaro Gatuzos, i cili në një intervistë për "Corriere della Sera" zhvlerëson ish-shokun e tij të skuadrës. "Nuk më bën çudi që Real është në vështirësi, pohon Rinjo. Janë një skuadër e zhbalancuar dhe, për sa di unë, punojnë pak në nivelin fizik. Riky te Milan stërvitej edhe në ditët e pushimit dhe duke punuar më pak në fund do të dështosh. Prandaj Kaka i Realit nuk është Kaka që njohim të gjithë". Kritika e mesfushorit kuqezi shkojnë më pas në mënyrën e lojës në futbollin "Merengues": "Kur kam parë se edhe një si Kanavaro ka dështuar me bluzën e Realit, kam bërë llogarinë se të jesh mbrojtës në Madrid duhet të jetë vërtet e vështirë. I lënë vetëm dhe sulmojnë pa kriter. Diferenca mes nesh dhe atyre qëndron e gjitha te krahët. Tanët nuk sulmojnë, ata të tyre deri në zonën kundërshtare, duke i lënë mbrojtësit vetëm dhe pastaj sigurisht që do të kenë vështirësi". Përveç gjithë këtyre, Kaka e ka mendjen të përqendruar te Botërori 2010 dhe zgjedh si skuadër favorite për titull Anglinë: "Besoj se askush nuk e priste një rikthim kaq të shpejtë dhe të fuqishëm të Anglisë. Nuk është se më parë Kombëtarja angleze ishte më pak e fortë, por tani ka diçka të re, është më e fortë kolektivisht, si të gjitha skuadrat e Kapelos". Emri kyç i skuadrës së ishullorëve është Stiven Xherrard: "Jam një admirues i madh i tij, sepse ka një zemër luani dhe prezanton ikonën e futbollit modern për aftësitë sulmuese dhe mbrojtëse". Kaka nuk është i vetmi që shikon Anglinë si një kërcënim serioz. Në fakt, edhe Klarens Sedorf e jep grupin të stërvitur nga Kapelo si më të kuotuarin për fitoren finale. "Kapelo është një buldozer. Bën gjithmonë sipas mënyrës së tij. Ançeloti është më i kujdesshëm dhe shikon përreth kur merr vendime. Ekziston rreziku që metoda e Ançelotit, më e butë, kërkon më shumë kohë për të funksionuar. Mendoj se Kapelo ishte personi i duhur për pankinën e Anglisë, edhe sepse ka shumë talente në dispozicion, që tashmë luajnë në një skuadër të vërtetë. Shikoj Anglinë me Brazilin dhe Spanjën favorite për Afrikën e Jugut.