Ndeshja Barcelona-Real Madrid do vendosë fatin e Pelegrinit
Nën kritika të ashpra, teknikut të Realit të Madridit, Manuel Pelegrinit, mund t‘i hapet dera e largimit në qoftë se nuk arrin objektivat. Dhe vija ndarëse Real-Manuel Pelegrini mund të jetë ndeshja me Barcelonën në fund të këtij muaji. Media spanjolle bëri të ditur se "jeta" e Pelegrinit në "Bernabeu" do të merrte fund pas humbjes poshtëruese 0:4 me Alkorkon për Kupën e Spanjës, por tekniku kilian mbijetoi. Fitorja me Getafen 2:0 dhe barazimi me Milanin 1:1 për Champions League, e lehtësuan disi gjendjen makth për Manuel Pelegrinin. Megjithatë, te presidenti Florentino Perez janë rishfaqur përsëri dyshime lidhur me profesionalizimin e Pelegrinit për të drejtuar një skuadër multimilionere. Në ndeshjen e dytë me Alkorkon, tifozët e pranishëm në "Bernabeu" kërkuan largimin e Pelegrinit, në momentin kur ai zëvendësoi mesfushorin francez Lasana Diarra. Në rifillimin e La Liga, pas ndërprerjes për shkak të ndeshjeve në skenën ndërkombëtare, Real Madridi do të luajë me Racing Santander, në Zyrih për Champions League, përpara se të udhëtojë drejt Kamp Nou ku do të përballet me Barcelonën më 29 nëntor. Nëse do të përsëritet historia e 2 majit në "Bernabeu", ku Barcelona fitoi 6:2, madje dhe me një rezultat më të ngushtë, por humbës, atëherë "vdekja" e Pelegrinit nuk do të shtyhet më në kohë.