Kundër Bjellorusisë, kthehen katër lojtarë
Për ndeshjen me Bjellorusinë, përfaqësuesja Shpresa do të përforcohet me katër futbollistë që tashmë janë afirmuar si kontingjent i Kombëtares së Josip Kuzhe. Më datë 17 nëntor në "Niko Dovana", trajneri Bushati do të mund të mbështetet edhe te shërbimet e portierit Samir Ujkani, mbrojtësit Franc Veliu dhe mesfushorëve Jahmir Hyka e Emiliano Vila. Sapo të përfundojë miqësorja e së shtunës me Estoninë, ku të katërt pritet të kenë mjaft hapësira në dispozicion, futbollistët e talentuar do të kthehen në Shqipëri, për t‘iu bashkuar ekipit U-21. Bjellorusia, e cila renditet në vendin e dytë në Grupin 10 të Europianit të kësaj grupmoshe, është një skuadër mjaft cilësore dhe kthimi i katërshes kuqezi në radhët e Shpresave shihet si një plus për arritjen e rezultatit pozitiv.
e. k.
e. k.