E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gava: Elbasani di ti përballojë ndeshjet e vështira

Nga Elton Karaj

Mesfushori verdheblu, Orgest Gava, vlerëson Luftëtarin dhe thekson se ekipi i tij nuk e mendon humbjen në ndeshjen e sotme

Elbasani u ka dhënë dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e sotme me Luftëtarin dhe është nisur që dje drejt Gjirokastrës, me qëllim që nata të kalohet në këtë qytet dhe futbollistët të jenë të çlodhur. Ekipi është i plotë dhe gëzon një formë të mirë, çka jep shpresë dhe besim për rezultat pozitiv për këtë transfertë të prapambetur nga java e 5-të. Për trajnerin File janë riaftësuar 3 futbollistë para kësaj sfide, që në njëfarë mase përcakton fatin e Elbasanit. Gjërat do të komplikoheshin shumë në rast të një tjetër humbjeje jashtë fushe, por verdheblutë janë të bindur se kjo nuk do të ndodhë.

Gava Mesfushori Orgest Gava, i rikthyer nga pezullimi për shkak kartonësh, mendon se ndeshja e rëndësishme me Luftëtarin do të kapërcehet me sukses dhe Elbasani do të mbetet pranë kreut, edhe pse pranon se koeficenti i vështirësisë është shumë i lartë: Humbja do të ishte katastrofë për ne, por nuk e mendojmë atë. E kemi vlerësuar maksimalisht ndeshjen dhe shpresojmë shumë se do të kthehemi me një rezultat pozitiv nga Gjirokastra.

Grupi është i plotë dhe na e shton besimin për të marrë pikë, pse jo 3 të tilla. Do mundohemi të bëjmë më të mirën, sepse nuk kemi rrugë tjetër. Nëse mposhtemi edhe në Gjirokastër, çdo gjë për ne do të bëhet më e vështirë dhe objektivi mund të vihet në rrezik serioz, thekson Gava, një ndër titullarët më të rëndësishëm të formacionit verdheblu.

Kundërshtari Më tej, Gava shpreh konsideratën e tij për ekipin gjirokastrit: Luftëtari meriton respekt për atë që ka arritur të bëjë deri tani, duke qenë në vendin e parë. Është një ekip shumë i fortë, por ne, nëse do të luajmë të bashkuar, nuk do të dalim nga fusha pa pikë. Elbasani e ka treguar edhe më parë se di ti fitojë ndeshjet e vështira, duke u bazuar te forca e grupit. Nuk ka dyshim që do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, por do të hyjmë në fushë me besimin se do ta përballojmë si duhet Luftëtarin, – ka përfunduar Orgest Gava.

Formacioni Trajneri i Elbasanit, Ilirian File, pritet ta nisë ndeshjen e sotme me këtë formacion. Në portë do të jetë Irakli Toçi, një ish-lojtar i Luftëtarit, në mbrojtje Merxha, Bella, Sekseni dhe Kaçuli, në mesfushë Hila, Gava, M.Toçi, Kuçi dhe Dalipi, ndërsa në sulm do të jetë i vetëm shkodrani Galica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›