E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnja, me Besën zyrtarizon ngjitjen drejt kreut

Nga Julian Kasapi

Mesfushori Renato Sula shpreh bindjen për 3 pikët e radhës dhe për këtë kërkon mbështetjen e tifozërisë lushnjare

Java stërvitore ka nisur me vrull në kampin lushnjar, në kuadrin e ndeshjes me Besën në stadiumin Roza Haxhiu. Janë dy skuadra, që nga shumë specialistë të futbollit konsiderohen mjaft të forta dhe që duhej të ishin në elitën e futbolit shqiptar. Përballja mes tyre pritet të dhurojë emocione për tifozët lushnjarë dhe ata kavajas, ndërkohë që vendësit pretendojnë fitoren e radhës.

Lushnja, që me paraqitjen e saj të javëve të fundit ka konfirmuar kthesën e madhe, synon një fitore tjetër në shtëpi, jo vetëm për të vazhduar rrugën drejt ngjitjes së shkallëve të klasifikimit, por edhe për ti bindur sportdashësit lushnjarë të kthehen dhe të mbushin shkallët e stadiumit.

Gjendja Ndeshja me Besën është e vështirë, por ne do të fitojmë. Është kjo fjalia që dëgjon nga të gjithë futbollistët e Lushnjës. Stafi teknik ka kërkuar përkushtimin maksimal nga të gjithë, pasi nuk ka vend për eufori. Edhe pse skuadra është në formë të mirë, kërkohet punë dhe në çdo seancë stërvitore të gjithë janë seriozë, duke respektuar deri në fund udhëzimet e stafit teknik, me në krye trajnerin Malko.

Renato Sula E dimë që është një ndeshje e vështirë, por nuk ka dyshim që do të kërkojmë 3 pikët, thekson Renato Sula për Sportin shqiptar. Mesfushori i Lushnjës, si gjithë të tjerët, kërkon mbështetjen e tifozërisë, që dalëngadalë është ktheyr në stadium, ndonëse jo siç pritej.

Do të ishte mirë sikur të kishim një numër të madh spektatorësh në stadium për ndeshjen me Besën. Skuadra është ngritur dhe premton se edhe ndeshjen e radhës do ta fitojë me një lojë të bukur. Kemi dy javë që punojmë për këtë takim, ku mendoj se nuk ka shanse të humbasim pikë, ka përfunduar  Sula.

Veteranët, nostalgjikë për ndeshjet me kavajasit

Shumë nga ish-lojtarët e njohur ndër vite te Lushnja i kujtojnë me nostalgji ndeshjet me Besën. Madje, Lushnja dhe Kavaja janë qytete me breza të tërë futbollistësh që janë miq me njëri- tjetrin edhe pas shumë vitesh. Njëri prej tyre, Kapllan Pepa, kujton futbollin e bukur të viteve 70, madje tregon fotografi të shumta nga arkivi i tij. Pepa është mjaft i pakënaqur me gjendjen aktuale të skuadrave, si Lushnjës, ashtu edhe Besës:

Në kohën kur ne luanim futboll, tifozët vinin nga qytetet respektive me çtë mundnin. Kam shumë kujtime të bukura, madje më i bukuri është viti 1974, kur ne të Traktorit barazuam në Kavajë. Megjithatë, sot të vjen keq që të dyja këto skuadra, bashkë me Luftëtarin dhe Elbasanin, vuajnë në kategorinë inferiore, – është shprehur veterani i futbollit lushnjar Kapllan Pepa.

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›