E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gava: Elbasani do të nisë një cikël të ri në Burrel

Nga Elton Karaj

Mesfushori Orgest Gava beson se ekipi i tij është gati ta kapërcejë situatën e vështirë të transfertave

Ekipi i Elbasanit u ka dhënë dje paradite dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen me Burrelin në stadiumin “Liri Ballabani”. Verdheblutë synojnë maksimumin e pikëve, në mënyrë që të mbeten pretendentë për tu ngjitur në superiore. Në fakt, të gjithë e kanë parashikuar të vështirë ndeshjen, sepse e dinë që Burreli në fushën e tij luan fort dhe nuk toleron.

Stafi teknik nuk ka të gatshëm vetëm afrikanin Olatunji, i cili është i skualifikuar për shkak kartonësh. Gjithsesi, java stërvitore ka shkuar mirë dhe pritet që lojtarët të shprehin vlerat e tyre më të mira në funksion të një rezultati pozitiv. Ata nuk e mendojnë humbjen, që mund ta nxirrte Elbasanin nga gara, edhe pse kampionati ka edhe shumë javë.

Gava Mesfushori Orgest Gava, një ndër më të dalluarit tek ekipi verdheblu deri tani, shprehet se ka ardhur ora që Elbasani të fitojë në transfertë: “Do të luajmë vetëm për fitore në Burrel, pasi çdo rezultat tjetër na prish shumë punë. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë, por kemi objektivin tonë dhe do të bëjmë gjithçka për të fituar.

Edhe kundërshtari ndodhet në pozita kritike dhe do të kërkojë të njëjtën gjë, por besoj se Elbasani, falë përvojës që kanë lojtarët e tij, do ta kalojë me sukses këtë sfidë delikate. Për ne janë të ndaluara humbjet, qoftë edhe jashtë fushe, sepse kemi shpërdoruar shumë pikë, që mund të na kushtojnë shumë shtrenjtë.

Më bën optimist fakti që jemi në gjendje mjaft të mirë fizike dhe morale, kështu që nuk kemi pse të mos marrim pikë, thekson Gava, i cili kërkon nga ekipi që të sforcohet në këto javë të fundit të fazës së pare, për të siguruar një pozicion sa më të mirë në tabelë.

Kalendari Verdheblutë duan të përfitojnë sa më shumë këto javë. Në 5 ndeshjet e mbetura, përveç transfertës së Burrelit, një ndeshje e vështirë në letër është edhe ajo në fushën e Besës, pasi 3 të tjerat duken më të lehta.

Gava shprehet se ka shumë mundësi që Elbasani të ketë fituar disa shkallë në tabelë në fund të fazës: “I kemi kaluar përgjithësisht ndeshjet e vështira, ndaj mendoj se do të rekuperojmë pikë deri në fund të fazës së parë. Jam i bindur se do ta kalojmë situatën e vështirë, sepse jemi një ekip me vlera, – ka përfunduar mesfushori Orgest Gava.
Formacioni Trajneri File pritet të hedhë sot në fushë këtë formacion: në portë I.Toçi; në mbojtje Merxha, Sekseni, Bella dhe Kaçuli; në mesfushë Hila, Gava, Kuçi, Toçi dhe Dalipi, ndërsa në sulm do të jetë i vetëm Galica.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›