E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gaxhai", provat në gjyq për gjashtë vrasjet e ‘97

 

Armand Bajrami

Prokuroria e Krimeve të Rënda paraqiti dje në gjykatë provat shkresore për gjashtë vrasje dhe një tentativë vrasje të vitit 1997, të cilat i atribuohen Gazmend Brrakës dhe bandës së drejtuar prej tij. Bëhet fjalë për prova të mbledhura nga prokuroria dhe policia, disa kohë pasi ndodhën vrasjet objekt gjykimi për shkak se në periudhën kur ndodhën këto krime, policia lokale thuajse kishte dalë jashtë funksionit nga trazirat e vitit 1997. Për këtë shkak, fashikulli i dytë i hetimit po gjykohet aktualisht te Krimet e Rënda. Pas më shumë se dy vjetësh shtyrjesh të njëpasnjëshme të seancave, për shkak të mungesës së avokatëve apo problemeve të tjera, ditën e djeshme ka vijuar gjykimi i tyre në Gjykatën për Krimet e Rënda. Kafazi i sallës së gjyqit ka qenë krejtësisht bosh, për shkak se të gjithë të akuzuarit kishin zgjedhur të përfaqësoheshin nga avokatët e tyre mbrojtës, pa qenë vetë të pranishëm në proces. Në seancën e djeshme, prokurori i çështjes ka prezantuar përpara pesëshes gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Idriz Mulkurti të gjitha provat shkresore kundër të pandehurve të akuzuar për një sërë veprash të rënda penale të kryera në vitin 1997. Gjithashtu pala e akuzës kërkoi nga gjykata edhe thirrjen në sallën e gjyqit për t'u rimarrë në pyetje të Gazmir Brakës, i cili është duke vuajtur një dënim me burgim të përjetshëm, dhe Armando Sulejmanit. Ndër provat e paraqitura ishin procesverbalet e këqyrjes së vendngjarjeve dhe rindërtimit të skenave të ngjarjeve, ku kanë mbetur të vrarë shtetasit Sadik Kurti, Avdul Bajrami, Arben Latifi, Gjergji Cukalla, Zyni haruni, policit Viron Rrapaj, si edhe procesverbali i tentativës së vrasjes së shtetasit Dhimitraq Micka. Në fashikullin me prova të paraqitura nga prokurori ndodheshin edhe procesverbalet e mbajtura për kontrollin dhe sekuestrimin e një sasie municionesh në banesën e Gazmend Nebiut. Gjithashtu në provat shkresore bënin pjesë edhe akt ekspertimet mjeko ligjore të viktimave si edhe ato balistike të armëve të sekuestruara. Gazmir Braka, Armando Sulejmani, Sokol Sinemati, Edmond Leskaj, Gazmend Nebiu akuzohen për kryerjen e veprave penale të "krijimit të bandave dhe organizatave kriminale", "kryerjes së krimeve nëpërmjet organizatave dhe bandave kriminale", "vrasjes për shkak të cilësive të veçanta", "armëmbajtjes pa leje", "vrasjes me paramendim", si dhe "vjedhjes me dhunë", vepra këto të kryera në vitin 1997.

Procesi "Gaxhai 2"

Akuzë për vrasje ndaj:
Sadik         Kurti
Avdul         Bajrami
Arben         Latifi
Gjergji         Cukalla
Zyni             Haruni
Polici Viron         Rrapaj
Tentativë vrasje ndaj:
Dhimitraq         Mickës

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›