Tre ushtarët kapen me gjysmë kile hashash
TIRANE- Pranga ushtarëve me drogë, policia u bllokon gjysmë kilogrami marijuanë. Julian Hila nga Tepelena, 25 vjeç, ish- efektiv i forcave "Komando" në Zall- Herr, Erald Bajraktari 22 vjeç nga Korça dhe Klodian Stefa 26 vjeç, nga Fieri, janë ndaluar dje pasdite nga oficerët e antidrogës së kryeqytetit me akuzën e shitjes dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike. Të tre ata janë kapur me një sasi prej 500 gramë hashash, e ndarë në 10 qese secila, e gatshme për t'u shitur. Sipas burimeve të policisë, dy ushtarët Erald Bajraktari dhe Klodian Stefa, aktualisht ishin efektivë të repartit të helikopterëve në Farkë. Madje ata kishin dalë nga reparti ,sipas burimeve të policisë, me një fletë leje ndërsa kishin paraqitur si shkak arsye shëndetësore. Ata janë kapur në afërsi të rrugës "Margarita Tutulani", ndërsa po udhëtonin me një motor, kur janë ndaluar nga hetuesit e antidrogës. Blutë ndaluan motorin me të cilin ata udhëtonin dhe menjëherë bllokuan personat që ishin me të. Sapo policët janë drejtuar për nga koshi i motorit, ushtarët kanë shtangur. Pikërisht në kosh është gjetur edhe sasia prej 500 gramësh.