E Diel, 1 Nëntor 2026

Kapllani, optimist: “Pres shansin tim”



Dash Frashëri

Pas pesë humbjeve rresht vështrimi i Karlsruhes shkon poshtë e më poshtë. Statistikat janë të “zeza”. Skuadra e shqiptarit Edmond Kapllani ndodhet në vendin e 14-të në renditje nga 18 skuadra që ka Bundesliga gjermane. Humbja e fundit ishte ajo 4-1 me Hofenhajmin.
“Ne bëmë në përgjithësi shumë pak kundër Hofenhajmit, për të marrë një apo tri pikë”, - tha Edmond Kapllani për gazetën gjermane “Manheimer Zeitung”. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare - 6 gola me fanellën kuqezezë, po aq sa Loro Boriçi e Bledar Kola – pohoi se problemet te Karlsruhe nuk janë në sektorin krijues, por në të gjitha repartet e ekipit.
Kapllani - 17 gola të realizuar në sezonin 2005-2006 kur Karlsruhe ndodhej në Bundesligën 2, - ishte një ndër aktorët kryesorë të ringjitjes së klubit të tij midis 18 ekipeve më të mira në Gjermani, por gjatë këtij sezoni është aktivizuar shumë pak minuta: 60 minuta në 5 ndeshje, në të cilat ka hyrë në të gjitha si zëvendësues.
Edhe në ndeshjen e fundit kundër Hofenhajmit shqiptari 26-vjeçar qëndroi gjatë gjithë 90 minutave në bankinë, madje është parë jo pak herë duke turfulluar në stolin e rezervave, teksa shokët e tij kanë humbur edhe ndonjë rast të pastër për gol.
“Unë jam duke pritur ende shansin tim”, - thotë Kapllani, autori i 2 golave gjatë sezonit të kaluar në Bundesligën 1 (24 gola në Bundesligën 2). Golashënuesi më i mirë shqiptar në eliminatoret e Euro 2008 (5 gola) luan për Karlsruhen nga viti 2004 dhe tashmë ka luajtur 103 ndeshjen me fanellën bardheblu të skuadrës nga Baden-Vytembergu, duke qenë edhe ndër më të “vjetrit” në ekip.
Gazeta gjermane i kërkon opinionin e tij në lidhje me gjendjen që po kalon skuadra. Kapllani: “Situata është e hidhur, por ne duhet të punojmë akoma më shumë si ekip. Pas kësaj do të rikthehet edhe suksesi”.

Lala me “3”-sh

Altin Lala, për kontributin e dhënë në fitoren 3-0 kundër Hamburgut, është vlerësuar me notën “3” (mirë) nga revista e njohur sportive gjermane “Kicker”, duke qenë ndër lojtarët e mirë të ekipit të Hanoverit. Lojtari më i mirë i “96”-s u vlerësua mesfushori Jan Shlaudraf: 1.5, shumë mirë, një gol dhe një asist.

Skela me “5”

Ervin Skela nuk ka marrë një notë pozitive nga revista “Kicker” në vlerësimet e saj pas ndeshjes së humbur 0-2 në shtëpi kundër Shalke 04. Fantazisti shqiptar i Energi Kotbusit është vlerësuar me notën “5” (dobët), duke qenë ndër tre lojtarët më pak të vlerësuar në ekipin e tij: më i keqi Shao, me notën 5.5.

Hani, sulm kundër sulmuesve kuqezinj

Trajneri Ari Han mbeti i pakënaqur nga ajo që pa në ndeshjen Partizani-Shkumbini (0-2) dhe disi më i lehtësuar në takimin e së dielës Tirana-Besa (1-1), por holandezi e tha qartë se futbollistët që luajnë në kampionatin shqiptar ende nuk e kanë nivelin për të veshur fanellën e përfaqësueses.
Në Kombëtaren “portokalli” janë thirrur rregullisht Andi Lila, Ansi Agolli, Elvin Beqiri, Endri Vrapi dhe Elis Bakaj, por trajneri Ari Han synonte të merrte edhe një përshtypje tjetër nga mesfushori sulmues Gjergji Muzaka e mbrojtësi Tefik Osmani.
“Të gjithë lojtarët që pashë mendoj se kanë ende punë për të bërë. Nëse duan të synojnë Kombëtaren në të ardhmen duhet të japin më shumë në fushë”, - vlerësoi pa doreza ish-trajneri i Kinës.
“Sigurisht, ndeshja Tirana-Besa ishte shumë më e mirë se ajo e së shtunës, Partizani-Shkumbini, por ato elemente që unë ndoqa duhet të punojnë më shumë. Eksperienca jashtë është më e mirë dhe më premtuese për ata që duan të veshin fanellën kuqezezë, por ka disa emra që premtojnë shumë dhe në të ardhmen të jenë elemente të rëndësishme”, - pohoi holandezi për mediat.
Han rivlerësoi paraqitjen e lojtarëve në ndeshjen kundër Portugalisë (0-0), por ritheksoi problemet në sulm, ku nga tre golat e shënuar deri tani në katër ndeshjet zyrtare – të tria kundër Maltës në fitoren 3-0 - vetëm një prej tyre i përket repartit të avancuar (Bogdani), ndërsa dy të tjerët i përkasin mbrojtjes (Dallku) dhe mesfushës (Duros).
Parimi tradicional për çdo trajner për të thirrur një lojtar në ndeshjet e radhës në Kombëtares bazohet në formën e momentit të lojtarit. Por sa e zbaton tekniku holandez këtë?
Nga katër sulmuesit e thirrur rregullisht nga Ari Hani vetëm Salihi e Berisha e kanë gjetur rrugën e rrjetës, ndërsa Bogdani e Kapllani ende jo. Gjithsesi, në një listë të “krijuar” jo nga njerëzit e FSHF-së, por nga “statistikat”, tabloja paraqitet si më poshtë:

Të thirrurit

Erjon Bogdani
Sulmuesi i Kievos në Serinë A italiane ende nuk ka shënuar golin e tij të parë sezonal.

Hamdi Salihi
Shkodrani që luan për SV Ried në Austri, ka realizuar pesë gola në kampionat dhe 1 në Kupën e Austrisë.

Besart Berisha
Kosovari i Bërnlit, por i huazuar te Rozenborgu në Norvegji, ka shënuar deri tani 3 gola.

Edmond Kapllani
Sulmuesi i Karlsruhes, 5 gola në eliminatoret e Euro 2008-s, ende nuk ka shënuar për ekipin e tij.

Në listë pritjeje

Parid Xhihani
Ish-sulmuesi i Besës ka realizuar deri tani gjashtë gola me Zorjan në kampionatin ukrainas.

Migen Memelli
Sulmuesi i Tiranës ka shënuar në nëntë javët e para 6 gola, duke qenë edhe golashënuesi më i mirë.

Dorian Bylykbashi
Sulmuesi e kapiteni shqiptar i Krivbasit ka shënuar deri tani 4 gola në kampionatin ukrainas

4 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›