Vaksinat, kur janë të rrezikshme për fëmijën
AIDA MALAJ
Vaksinat janë mjaft të rëndësishme për sistemin imunitar të njeriut. Ekziston një kalendar, në bazë të së cilit kryhet vaksinimi te fëmijët për disa sëmundje. Por në disa raste, aplikimi i vaksinës bëhet i pamundur dhe shtyhet ose nuk kryhet fare. Në një intervistë për “Panorama”, pediatri infeksionist Lame Koçi, shpjegon se cilat janë këto përjashtime dhe si mund të trajtohen problemet që mund të bashkëshoqërojnë vaksinimin:
Doktor, ka raste që për arsye shëndetësore nuk aplikohen vaksinat. Mund të na shpjegoni më konkretisht se kur duhet bërë vaksinimi i fëmijës, apo duhet shtyrë për më vonë?
Fillimisht, duhet të dini se për të gjitha rastet e shtyrjes së afatit të vaksinimit apo të mosbërjes fare të tyre, vendos mjeku i konsultores, e në disa raste duke u konsultuar më parë me epidemiologun, infeksionistin dhe alergologun. Gjithsesi, shkaqet e shtyrjes së afatit për vaksinim apo të ribërjes të tyre në vija të përgjithshme janë rastet kur: fëmija është me temperaturë të lartë për një kohë të gjatë apo dhe në kohën që duhet bërë vaksina apo rivaksinimi, kur është i sëmurë, kur përdorin kortizonikë për një kohë të gjatë, apo dhe në rastet e gjendjeve alergjike akute.
Ç’ndërlikime mund të shfaqen pas bërjes së vaksinës?
Organizmi krahas përgjigjes që i bën vaksinës, për të krijuar mbrojtjen, disa herë i përgjigjet me dukuri jo normale e të pazakonta edhe kur aplikohet në kondita normale. Pra dhe kur vaksina është mbajtur dhe ruajtur në kushte normale (siç quhet ndryshe “zinxhiri i ftohjes”). Ndonjëherë shfaqja e këtyre ndërlikimeve është dhe cilësi apo veti e brendshme e vetë vaksinës. Në përgjithësi, ndërlikimet postvaksinale kur bëhen në fëmijë të shëndoshë e në kushte ideale, kanë rrjedhim të mirë e parrezik për të rivendosur gjendje sadopak të alternuara, pa nevojën e ndërhyrjes mjekësore. Ndër ndërlikimet postvaksinale që prekin disa organe dhe quhen të përgjithshme mund të jenë: ngritja e temperaturës në shifra të larta për disa ditë, dobësi e theksuar, dhimbje trupi apo koke, si dhe të vjella. Mund të manifestohen dhe fenomene alergjike nga më të thjeshtat (urtikarie) deri te shoku anafilaktik.
Cila jep më shpesh ndërlikime?
Më shpesh këto ndërlikime i japin vaksinat e gjalla, sidomos ato virale, por disa herë edhe ato të inaktivizuara, si e tifos, kolerës, pertusis, ndërsa ato të difterisë dhe tetanozit nuk japin ndërlikime të tilla. Zakonisht ndodhin në vendin e infeksionit apo në afërsi të tij dhe manifestohen me dhimbje dhe skuqje në vendin e aplikimit të vaksinës, apo dhimbje e gjymtyrëve gjatë lëvizjeve. Në rastin e vaksinave anti TBC (turbekulozi) mund të ndodhë inflamacioni, i cili ndonjëherë dhe infektohet. Këto reaksione nuk ndodhin nga gabimet në vaksinim, por në rastet kur gjatë vaksinimit nuk zbatohen rregullat, apo ka të meta. Këto mund të jenë më të shpeshta e mund të transmetojnë sëmundje të rënda si hepatiti A, B, AIDS, malarien, etj.
A mund të bëhet parandalimi i ndërlikimeve?
Po. Para se të bëhet vaksinimi duhet të vlerësohet gjendja e përgjithshme e personit që do të vaksinohet, nëse fëmija është mirë, lejohet vaksinimi, në të kundërtën shtyhet apo nuk bëhet për një farë kohe. E rëndësishme për parandalimin është respektimi i të gjitha rregullave të prodhimit të vaksinës, mirëmbajtjes së saj, transportimi e deri në aplikimin e saj.
Po në rast se shfaqen ndërlikime, si duhet vepruar?
Në këtë rast vepron mjeku specialist. Nëse ndodhin brenda konsultores, mundësitë për mjekim janë më të shpejta dhe efikase, në të kundërt familjarët duhet të lajmërojnë sa më shpejt mjekun apo personelin mjekësor përkatës. Gjithsesi duhet të dihet se në rastet e dhimbjes lokale apo të përgjithshme, duhen dhënë analgjezikë, kryesisht me rrugë orale (në formë shurupi, ose tableta, por edhe rektale (supost paracetamoli) për një apo disa ditë. Nëse vendi i vaksinës skuqet duhen vendosur kompresa me amoniak ose alkool. Nuk duhet ngacmuar në asnjë mënyrë dhe nëse infektohet duhet shkuar te mjeku. Në rast rritje të temperaturës duhet përdorur antipiretik, ndërsa në forma të lehta të alergjisë, duhet bërë mjekimi ambulator me preparate antialergjike të zakonshme dhe rrallë mund të jetë nevoja për kortizonikë. Në format më të rënda mund të shtohen në spitale për mjekim. Po kështu edhe në rastin e konvulsioneve të pjesshme apo të përgjithshme.
Kur nuk duhen bërë vaksinat
Temperatura e lartë, për një kohë të gjatë apo dhe në kohën që duhet bërë vaksina apo rivaksinimi
Sëmundje akute dhe periudha e inkubacionit të këtyre të fundit. Ndonjëherë sëmundjet e rënda kronike somatike (sëmundjet e gjakut, tumoret e ndryshme, etj) çojnë në mos aplikim fare të vaksinave dhe mbrojtjen e këtyre fëmijëve me anën e imunitetit artificial pasiv (IG)
Përdorimi për një kohë i gjatë i kortizonikëve, citostatikëve dhe rrezeve radioaktive, të cilat ulin procesin imunitar, bën të pamundur prodhimin e antitrupave, prandaj dhe në këto raste i mbrojmë me IG.
Gjendjet alergjike akute dhe ndonjëherë dhe të kaluara bëhen shkak shumë serioz i mosaplikimit apo riaplikimit të vaksinave si dhe i ndërprerjes së kalendarit vaksinal. Në këto raste jo vetëm që vaksina nuk krijojnë maksimumin e mbrojtjes, por ato mund të agravojnë gjendjen. Sot edhe këto raste janë pakësuar dhe frika e keqësimit është vetëm për rastet e rënda të alergjive.