Rikthehet trafiku, kapen x18 klandestinë
SARANDE - Rikthehet trafiku i klandestinëve nëpërmjet kufijve që lidhin Sarandën me Greqinë, pas tragjedisë së Butrintit. Një 26-vjeçar nga Lezha u ndalua në orët e para të ditës së djeshme, ndërsa shoqëronte 18 klandestinë. Luan Noka, sipas policisë, kishte si mision të vetin t'u jepte ndihmë disa personave nga rrethe të ndryshme të vendit, të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme. I riu u arrestua ndërsa shoqëronte klandestinët për t'i çuar në një nga hotelet e qytetit të Sarandës. Aty do të qëndronin derisa të krijoheshin kushtet, që të niseshin drejt kufirit të gjelbër. Për secilin prej shtetasve, çmimi që ata do të paguanin në përfundim të kalimit të tyre drejt shtetit grek varionte nga 300 deri në 800 euro. Policia nuk ka bërë të ditur linjën që do të ndiqnin klandestinët, për shkak të hetimeve që mund të çojnë në të tjerë të arestuar. sh.d