E Diel, 1 Nëntor 2026

"Vizita e Radoviç, jo incident"

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Presidenti i shoqatës që përfaqëson minoritetin serbo-malazez, "Moraça-Rozafa", ka dalë në mbrojtje të mitropolitit Radoviç, pas vizitës së tij fundjavën që shkoi në Shkodër. Por, ajo që bie në sy gjatë deklaratave të Pavllo Jakos gjatë dy ditëve të kaluara ishin fjalët kontradiktore në lidhje me organizatorët e kësaj ftese, ashtu edhe në lidhje me praninë e ushtarëve serbë në Shkodër. "Vizita e mitropolitit serb në Mal të Zi, Amfillohije Radoviç, ka qenë vizitë turistike dhe ka pasur si qëllim njohjen me objektet e kultit të hershëm e të tashëm dhe të vizitojë për here të parë në këta 100 vjet varret e ushtarëve serbë të rënë në Shkodër. Kjo vizitë nuk duhet parë si incident dhe as me shqetësim", pohoi Jako. Ai ka hequr çdo paralelizëm mes deklaratës së mitropolitit serb të Malit të Zi dhe kërkesës së Greqisë për varret e ushtarëve grekë, ndërsa ka pohuar se memoriali për ushtarët serb është i pranueshëm dhe pse vetë Jako pranon se ato kanë qenë ushtarë pushtues. Por, vetë Jako gjatë prononcimeve publike të bëra të dielën e të hënën, e ka cilësuar një herë rënien e ushtarëve malazezë në luftë kundër turqve e më pas se ata pushtuan Shqipërinë. Më 2 nëntor, kreu i shoqatës "Moraça-Rozafa" pohoi se: "ftesën Radoviçit ia kemi bërë ne si shoqatë, pasi ai ka një përfaqësueshmëri të lartë në Shkodër dhe misioni ka qenë turistik". Ndërsa ka theksuar se: "lufta ku mbetën të vdekur ushtarët është zhvilluar mes serbëve dhe turqve". Por, më 3 nëntor, Jako deklaroi se, "organizatori i kësaj vizite ka qenë vetë Radoviç, i cili ka kërkuar edhe mbështetjen tonë njerëzore. Vizita e tij ka më shumë se tre muaj që po përgatitej", duke shtuar se "ushtarët serbë pushtuan Shkodrën. Kjo dihet botërisht se kanë ndenjur në Shkodër për 6 muaj". Gjithashtu, Jako ka shprehur pakënaqësinë dhe në drejtim të një pjese të politikës shqiptare, në lidhje me të drejtat e pakicave. "Ata kanë nënshkruar një konventë, por ende nuk dimë se çfarë kanë nënshkruar dhe tre shtetet, Shqipëria, Serbia e Mali i Zi nuk janë takuar për të biseduar lidhur me integrimin e pakicës serbo-malazeze në jetën social politike të Shqipërisë".

Pushtetarët vendorë, indiferentë
Qytetarët shkodranë janë shprehur të pakënaqur me vizitën e antishqiptarit të njohur Amfillohije Radoviç në Shkodër dhe deklarimet e tij, duke e quajtur atë një sfidë që i bëhet shtetit shqiptar. Pushtetarët vendorë të Shkodrës kanë qëndruar indiferentë ndaj kësaj vizite, ndërsa nuk kanë qenë të pranishëm në inaugurimin e qendrës informative kulturore të shoqatës "Moraça-Rozafa", të bërë të hënën në Shkodër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›