E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaza, Vietnami i Izraelit

Luftërat u zbulojnë popujve të vërteta të tmerrshme rreth vetes së tyre. Prandaj edhe është shumë e vështirë për popujt që ta dëgjojnë porosinë e tyre. Ne, izraelitët, ishim të vendosur që të hidhnim një vështrim të ndershëm mbi luftën e parë të Gazës (2008-2009). Para dy ditësh, në ujërat ndërkombëtare, Tsahal (ushtria izraelite) hapi zjarr mbi një grup militantësh dhe përfaqësuesish humanitarë nga e gjithë bota. Pikërisht këtu po e humbim luftën e dytë të Gazës. Një luftë e dytë që mund të kushtojë shumë më shtrenjtë dhe më dhimbshme se e para.

Duke nisur luftën e parë në vitin 2008, ushtria dhe drejtuesit politikë izraelitë shpresonin t’i jepnin një mësim të mirë Hamasit. Ata ia arritën këtij synimi. Hamasi mësoi me këtë rast se mënyra e mirë për ta luftuar Izraelin është që ta lejosh t’i shkojë deri në fund asaj që ka nisur me dëshirën e tij: të sorollatet mbi tanke nëpër lagjet palestineze, të bëjë gabime që kushtojnë jetë njerëzish dhe të egërsohet në kulm.

Hamasi, por edhe Irani dhe Hezbollahu, kanë kuptuar shumë shpejt se embargoja e Izraelit kundër Rripit të Gazës ishte arma më e fuqishme dhe më e sofistikuar që ata mund të kthenin kundër shtetit hebre. Këtu në Izrael, ne nuk e kemi kuptuar ende këtë mësim: ne nuk po e mbrojmë më Izraelin. Ne mbrojmë tashmë rrethimin e Gazës – këtë rrethim, i cili po shndërrohet gradualisht në Vietnamin e Izraelit.

Natyrisht që ne e dinim që kjo mund të ndodhte. Të dielën, më 30 maj, kur zëdhënësi i ushtrisë tonë e paraqiti flotën humanitare që po i drejtohej Gazës si një akt agresioni ndaj Izraelit, Nahman Shai, deputet i Knesetit dhe ish-zëdhënës i ushtrisë gjatë luftës së Gjirit në vitin 1991, deklaroi publikisht se i frikësohej realizimit të ëndrrës më të keqe: asaj ku ushtarët izraelitë do të sulmonin anijet dhe do të hapnin zjarr mbi pacifistët, shoqatat humanitare dhe personat që kanë marrë edhe Çmimin Nobel për Paqen. Miri Regev, deputet i Likudit dhe gjithashtu ish-zëdhënëse e ushtrisë, vlerësoi të hënën, më 31 maj, se më e rëndësishmja ishte që të reagohej shpejt ndaj zhurmës negative të medieve për t’i dhënë fund sa më parë incidentit.

Por, kjo është një aferë që s’mund të errësohet. Njëra nga anijet mban emrin e Rachel Courrie (pacifiste amerikane), e vdekur shtatë vjet më parë duke u përpjekur t’i priste rrugën një buldozeri të ushtrisë izraelite në Gaza. Emri dhe historia e saj janë që prej asaj kohe një simbol i palëvizshëm për simpatizantë e çështjes palestineze.

Ka edhe më shumë se kaq. Po prishim marrëdhëniet me një nga vendet e mëdha, Turqinë, një fuqi rajonale me peshë, e cila, nëse do të kishim ditur, mund të luante një rol gjatë luftës së parë të Gazës, kur ne iu afruam rrezikshëm një deklarimi lufte ndaj Ankarasë. “Kjo do të krijojë një incident të madh me turqit, është e sigurt”, u shpreh Beniamin Ben-Eliezer, ministri aktual i qeverisë ndoshta më i ndërgjegjshmi për lidhjet mes Izraelit dhe botës myslimane.

Ne shprehemi shpesh botërisht që nuk jemi në luftë me popullin e Gazës. E përsërisim këtë pa pushim, pasi edhe vetë kemi nevojë ta besojmë dhe sepse në fund të fundit as vetë nuk e besojmë atë që themi. Ka qenë një periudhë kur thoshim se ne si popull e njohim veten tonë veçse në kohëra luftërash. Tashmë s’është më ky rasti. Ajo kohë ka ikur. Nga refuzimi ynë për të negociuar me Hamasin ka lindur një problem i ri: ata na njohin shumë më mirë sesa që e njohim veten tonë.

Hamasi, ashtu si Irani, ka mësuar ta njohë dhe të përfitojë nga shkalla e lartë toksike e politikës së brendshme izraelite, e karakterizuar nga dëshira e madhe për të sakrifikuar të ardhmen në funksion të arritjes së dhunshme të një momenti paqeje.

Shumëkush në spektrin e djathtë do të kënaqet në heshtje nga zhvillimi i orëve të fundit. Shprehja “Ju kishim thënë më parë” do të zëvendësohet nga shprehja tjetër “Çfarëdo që të bëjmë ne, bota në urren”. Ne mund të vazhdojmë planet e ndërtimeve (të kolonizimit) në Bregun Perëndimor dhe Jerusalem dhe të vazhdojmë t’i mbrojmë me forcë kufijtë tanë (e thënë ndryshe, të forcojmë Hamasin).

Hamasi, Irani dhe e djathta e ashpër në Izrael dhe në diasporë janë të ndërgjegjshëm se në këto orë po luhet një provë zjarri për Benjamin Netanyahun. I prirë që t’i spostojë vështrimet e komunitetit ndërkombëtar mbi Iranin dhe rrezikun që ai paraqet për Izraelin, kryeministri Netanyhu duhet të ketë kthjelltësinë, ai më i pari, që sot sytë e botës janë drejtuar jo në Iran, por mbi vendin e tij dhe mbi rrezikun që ai paraqet për popullin e Gazës. (Haaretz)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›