E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitjet e bankave, policia analizon gjashtë dosje

 

TIRANE- Rastet e grabitjeve të bankave, të ndodhura gjatë vitit të kaluar në territorin që mbulon policia e kryeqytetit, do të analizohen nga Seksioni i Vjedhjeve me Dhunë dhe grabitjeve me armë. Një veprim i tillë sipas burimeve të policisë, do të kryhet me qëllim gjetjen e elementëve të rinj, që mund të ndihmojnë hetuesit në zbardhjen e këtyre krimeve ndaj pronës. Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë pikërisht për rastet e grabitjeve të ndodhura në Tiranë gjatë vitit kaluar një pjesë e të cilave prej muajit gusht deri në dhjetor mbetën të pazbuluara edhe pse ishin kryesisht vjedhje me armë dhe me dhunë e filialeve të bankave. Të njëjtat burime pohojnë se krerët e hetimit të policisë së Tiranës, kanë kërkuar që dosjet të analizohen me kujdes për të zbuluar elementë të përbashkët në grabitjet e ndodhura. Kjo për policinë do të thotë se të njëjtët persona të kenë kryera më tepër se një grabitje. Në një pjesë të mirë të grabitjeve të kryera me armë zjarri, objekte të krimeve dhe sulmeve kanë qenë banka të nivelit të dytë nga të cilat janë rrëmbyer shuma të konsiderueshme parash nën kërcënimin e armëve. Madje sipas policisë në disa raste grabitjet janë “ndihmuar”, nga sistemet e dobëta të sigurisë së vetë bankave. Për këtë policia ka kërkuar edhe rritjen e masave të sigurisë me qëllim shmangien e ngjarjeve të tilla.    d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›