E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplaset autobusi i nxënësve

 

FIER - Një autobus që transportonte nxënës shkolle është aksidentuar mëngjesin e djeshëm. Autobusi i markës “Fiat” me targa të Fierit ka qenë duke udhëtuar nga qyteti i Patosit për në drejtim të Fierit. Në brendësi të automjetit gjendeshin më shumë se 45 fëmijë, të cilët ndjekin një nga shkollat jopublike të Fierit. Aksidenti në fjalë ka ndodhur në afërsi të kthesës së Portëzës, e cila njihet si aks rrugor tepër problematik dhe i vështirë. Drejtuesi i autobusit, mësohet se është përplasur me një automjet tip “Nissan” me targa të Tiranës. Si pasojë e përplasjes ka pasur dëmtime të mëdha në të dy automjetet, por kryesisht në autoveturë. Kështu, pas përplasjes së fuqishme kanë mbetur të plagosur personat që gjendeshin në brendësi të autoveturës si dhe disa nxënës që ishin ulur në pjesën e përparme të autobusit. Një përplasje në kokë ka pësuar një nxënës, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, e ndërsa burime nga policia njoftojnë se 6 fëmijë të tjerë kanë marrë plagë të lehta dhe janë kuruar në spitalin rajonal Fier. Ndërkohë të gjithë nxënësit që udhëtonin në autobus kanë pësuar tronditje si pasojë e përplasjes së papritur. Aksidenti në fjalë ka dëmtuar edhe 30-vjeçarin, drejtues i autoveturës si dhe prindërit e tij të cilët ishin nisur për në Gjirokastër. Policia e qarkullimit rrugor që mbërriti në vendin e ngjarjes disa minuta pas përplasjes ka bërë të ditur se shkak i përplasjes ka qenë rrëshqitja e mjetit “Nissan” në rrugën me ngrica. Drejtuesi i autobusit Namik Veli, banor i qytetit të Patosit, është përpjekur që jo vetëm të devijojë mjetin që drejtonte, por edhe ta frenojë atë menjëherë. Policia ka nisur hetimet për këtë ngjarje.        m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›