Vranë policët, 2.2 shekuj burg
Armand Bajrami
Prokuroria për Krimet e Rënda kërkoi dje dy dënime të përjetshme dhe një dënim me 20 vjet burg për personat e akuzuar si autorë të vrasjes së policëve Arben Keqi dhe Durim Kasmi, 10 vjet më parë në Krujë. Pas shqyrtimit gjyqësor të dosjes, analizimit të fakteve dhe provave materiale, si edhe rrëfimeve të dëshmitarëve të thirrur në gjykatë, prokuroria paraqiti dje para togave të zeza të Krimeve të Rënda konkluzionet përfundimtare të akuzës. Sipas prokurorisë, vrasja e dy policëve ka qenë një linjë hakmarrje mes familjes së Hakajve dhe punonjësit të policisë Arben Keqi. Kjo sipas akuzës, ka sjellë eliminimin fizik të policit Keqi dhe kolegut të tij Durim Kasmi, si edhe vrasjen e paqëllimshme të Raim Bakiasit. Në pretencë, prokuroria cilësoi si ekzekutorë të punonjësve të policisë të pandehurit Sokol Halilaj dhe Dritan Rexhepi, të cilët e kanë kryer krimin kundrejt pagesës, ndërsa rolin e bashkëpunëtorit në vrasje akuzohet se e ka luajtur Shefqet Seferi. Prokuroria tha se “truri” i organizimit të ekzekutimeve të punonjësve të rendit ka qenë Shkëlqim Haka, person i vrarë në vitin 1999. Në përfundim akuza kërkoi shpalljen fajtorë dhe dënimin me burgim të përjetshëm për Sokol Halilajn dhe Dritan Rexhepin, ndërsa 20 vjet burg për Shefqet Seferin.
SEANCA
Të pranishëm në kafazin e sallës së gjyqit ditën e djeshme ishin vetëm të pandehurit Sokol Halilaj dhe Shefqet Seferi, pasi i pandehuri Rexhepi gjykohet në mungesë. Në një material voluminoz prej disa dhjetëra faqesh prokurori i çështjes, Anton Martini, pasqyroi kronologjinë e ngjarjeve që u “finalizuan” me rekrutimin e vrasësve me pagesë për eliminimin e dy policëve. Pas disa atentateve të ndërsjella mes dy palëve në fund të vitit 1997 dhe në fillim të vitit 1998, të cilat kanë përfunduar vetëm më plagosje, konflikti mes dy familjeve ishte “nxehur”. “Pas dështimit të tentativave për pajtimin mes familjeve të Arben Keqit dhe familjes Haka vjen vrasja e Enver Hakës në Tiranë, në mes të vitit 1999. Menjëherë pas kësaj vrasje me dyshimin se ajo ishte kryer nga Arben Keqi, shtetasi Shkëlqim Haka fillon tentativat dhe harton plane për vrasjen e Arben Keqit”, thuhet në pretencën e prokurorisë. Sipas organit të akuzës, për këtë Shkëlqim Haka gjen shtetasin Sokol Halilaj, nga fshati Gjorm i Vlorës, si vrasës me pagesë i cili nuk njihej në qytetin e Krujës madje as nga viktima Arben Keqi. Për vrasjen e policit tjetër Durim Kasmi, sipas prokurorit, është përdorur si vrasës me pagesë i pandehuri Dritan Rexhepi. Akuza tha se për të identifikuar “objektivët” është përdorur i pandehuri Shefqet Seferi që njihte dy policët. Vrasjet janë kryer më 27 gusht 1999 për Arben Keqin dhe më 6 tetor 1999 për Durim Kasmin. Në ngjarjen e dytë mbeti i vdekur edhe Rakim Bakiasi, i cili u prek rastësisht nga plumbat. Sipas prokurorisë, të dy ekzekutimet kanë të njëjtin mekanizëm. Në të dyja ngjarjet qitjet janë kryer nga distanca të afërta dhe arma është dërguar pranë vendit të ngjarjes me një çantë të zezë, e cila braktisej më pas. Në konkluzionet përfundimtare pala e akuzës citoi të gjitha provat e përdoruara të cilat faktojnë, sipas saj, fajësinë e të pandehurve.
Vrasësi i Durim Kasmit ekstradohet në Itali
TIRANE – Dritan Rexhepi, i konsideruar si një nga personazhet më të rrezikshëm të akuzuar nga drejtësia shqiptare, është ekstraduar në Itali pavarësisht krimeve të rënda, që i atribuohen në vendin tonë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare sipas të cilave mësohet se Dritan Rexhepi, i akuzuar si vrasës me pagesë dhe ekzekutor i punonjësit të policisë Durim Kasmi, është ekstraduar nga Holanda në drejtim të Italisë, pasi prokuroria e kësaj të fundit e akuzon për trafik narkotikësh. Dritan Rexhepi i cili studionte në Fakultetin Juridik edhe pse ishte shpallur në kërkim, u arrestua më 26 janar 2006 në Tiranë pas rihapjes së dosjes për vrasjen e dy policëve në Krujë. Ai bashkë me të akuzuarit e tjerë u dërgua në Durrës, ku Dritan Rexhepi u arratis në mënyrë spektakolare nga paraburgimi i policisë dhe u zhduk pa gjurmë. Më 31 mars 2008, i kërkuari 27-vjeçar i kap të Amsterdam të Holandës, ndërsa së fundi është ekstraduar në Itali, pasi ka kryer krime në këtë vend gjatë qëndrimit në arrati.