I arrestuari me 89 kg marijuanë denoncon policinë për dhunë
GJIROKASTER - Një nga tre të rinjtë korçarë që u arrestuan në Gjirokastër të dielën e kaluar, duke transportuar 98 kg marijuanë, akuzoi forcat e rendit për ushtrim dhune. Gjatë seancës së djeshme ku do të vlerësohej masa e sigurisë në ngarkim të Elton Hodollarit, Erion Latkës dhe Gerti Mihos, ky i fundit është paraqitur në gjykatë me shenja të dukshme dhune nw fytyrw. Miho bëri publik nëpërmjet avokatit Arjan Sotiri, keqtrajtimin në dëm të tij brenda ambienteve të Komisariatit të Gjirokastrës, disa orë pas arrestimit. Avokati pasi ka vënë re shenjat në fytyrë të klientit të tij depozitoi padi penale në Prokurorinë e rrethit. I arrestuari për trafik droge, Gerti Miho, pretendon se është dhunuar nga një oficer policie, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur. Policia e Gjirokastrës reagoi zyrtarisht për këtë ngjarje. Përmes zëdhënësit Gentian Mullai, bëhet e ditur se gjatë kapjes në flagrancë të Mihos, i cili drejtonte automjetin tip BMW që shoqëronte furgonin me drogë, ai ka shfaqur rezistencë me veprime aktive, me qëllim shpëtimin nga duart të punonjësve të policisë. “Konform ligjit për Policinë e Shtetit si dhe ligjit për Përdorimin e Forcës nga punonjësit e policisë, është bërë shoqërimi i tij për në ambientet e policisë. Pas shoqërimit në ambientet e godinës së Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, ndaj këtij shtetasi nuk është ushtruar në asnjë moment dhunë fizike”, shprehej policia në deklaratën e saj. Gjykata i la në burg tre të rinjtë gjer në përfundim të hetimeve.