“Gazetarët dhe politika s’bëjnë dot pa njëra-tjetrën”
29/12/2009 Pritja tradicionale e Topallit
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në pritjen tradicionale që organizoi në fund të vitit për përfaqësuesit e medies vlerësoi punën e tyre, duke shprehur një mirënjohje dhe falënderim të veçantë për ta. Duke e përkufizuar të vështirë raportin e pushtetit të katërt me politikën shqiptare, ajo e cilësoi si një marrëdhënie të domosdoshme. “Gazetarët dhe politika janë, si dy pllaka tektonike, raportet e të cilave jo gjithmonë janë të ngrohta, por nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën”, - tha ajo në një fjalim të shkurtër. Kryeparlamentarja e cilësoi vitin që po mbetet pas një vit të mbarë, veçanërisht në termat politikë. “Ne po mbyllim një vit të mbarë. Në jetën time politike nuk di një vit më të mbarë në termat politikë, të integrimit ekonomik për vendin tonë sesa ky vit. Në një kohë të shkurtër ka pasur shumë ngjarje të mëdha në procesin integrues të Shqipërisë, ndaj dhe e konsiderojmë një vit të suksesshëm dhe të mbarë”, - vijoi ajo, duke e siguruar se 2010-a do të jetë gjithashtu një vit i veçantë dhe i suksesshëm. Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Kuvendit, Topalli u takua me të gjithë të ftuarit, duke uruar që viti i ardhshëm të sjellë për të gjithë më shumë mbarësi.