E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi, shkurtohen 613 vende pune

Nga data 1 korrik, numri i punonjësve të administratës shtetërore do të pakësohet.

Qeveria i ka dhënë “OK” largimit nga puna të 613 punonjësve buxhetorë, çuditërisht më 1 Maj, ditën e punëtorëve. Sipas vendimit të qeverisë, gati 135 punonjës që janë në varësi të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, duhet të largohen nga vendi i tyre i punës. Ky shkurtim ka ardhur si pasojë e shkrirjes së Policisë së Ndërtimit, ku ishin të punësuar gati 275 punonjës. Si rrjedhojë e shkrirjes së këtij institucioni dhe krijimit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar do të jenë të punësuar vetëm 140 punonjës. Pas shkurtimeve të bëra, numri i punonjësve buxhetorë për këtë ministri do të jetë 1362. Por shkurtimet në administratën shtetërore nuk përfundojnë me kaq. Qeveria ka vendosur që të largohen nga vendi i tyre i punës plot 478 punonjës që janë në varësi të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, duke filluar nga data 1 korrik e këtij viti. Shkurtimi i vendeve të punës ka ardhur pas miratimit të vendimit të qeverisë “Për administrimin e konvikteve të sistemit arsimor parauniversitar”, duke kaluar punonjësit e administratës të konvikteve nga varësia e ministrisë në varësi të pushtetit vendor. Ndërkohë po dje, Këshilli i Ministrave ka hapur dritën jeshile për 11 vende të reja pune pranë Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Këta 11 punonjës do punësohen në institucionin më të ri të emërtuar Njësia e Lojërave të Fatit, e cila është në varësi të Ministrisë së Ekonomisë. Pas këtyre ndryshimeve të bëra, numri i punonjësve në Ministrinë e Ekonomisë arrin në 508. Po dje, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe kategoritë e pagave sipas pozicioneve të punës për institucionin e ri. Efektet financiare që rrjedhin nga kjo do të përballohen nga buxheti i Ministrisë së Ekonomisë. Gjithashtu dje u miratuan edhe disa shtesa për kushte pune, që do t’u jepen punonjësve të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve. Kështu titullari i këtij institucioni do të marrë 13 mijë lekë shtesë mbi pagën e tij. Ndërsa për drejtorët e drejtorive shtesa është 10 mijë lekë në muaj mbi pagën e tij mujore. Ndërkohë pas shkurtimeve dhe hapja e vendeve të reja të punës, numri i punonjësve të administratës shtetërore ka ndryshuar. Nga 1 janari dhe në korrik numri i punonjësve buxhetorë do të jetë 104.592, pas këtij muaji numri do të reduktohet. Për muajt në vazhdim në administratën shtetërore do të jenë të punësuar 104.105 punonjës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›