E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazetarët, peticion Berishës: Jo Fatmir Mediut në qeveri



Një grup gazetarësh dhe analistësh të medias shqiptare i kanë drejtuar një peticion kryeministrit Sali Berisha për t’i shprehur qëndrimin kundërshtues ndaj përfshirjes së ish-ministrit Fatmir Mediu në kabinetin e ri qeveritar. Peticioni është nënshkruar nga Blendi Kajsiu, Henri Çili, Mentor Nazarko, Mustafa Nano, Skënder Minxhozi, Andi Bushati, Lorenc Vangjeli, Gjergj Erebara etj. Në peticion theksohet se përfshirja e Mediut, i cili është i pandehur për tragjedinë e Gërdecit, paraqet një problem të rëndë moral dhe politik për qeverinë e re. “Ne, një grup gazetarësh dhe analistësh të medias, shohim me shqetësim qytetar mundësinë e përfshirjes së ish-ministrit të Mbrojtjes dhe kryetarit të Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në kabinetin e ri ‘Berisha’. Siç është e mirënjohur për publikun e gjerë, zoti Mediu është në një proces gjyqësor lidhur me tragjedinë e Gërdecit, e cila mori 26 jetë të pafajshme njerëzish dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, pa llogaritur këtu shkatërrimet materiale. Drejtësia shqiptare po heton dhe gjykon mbi përgjegjësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes. Edhe pse në demokraci, parimi i prezumimit të pafajësisë është e drejtë e çdo qytetari, përfshi këtu dhe për zotin Mediu, duke gjykuar natyrën thellësisht politike të institucionit të qeverisë së të gjithë shqiptarëve, ne gjykojmë që prania në kabinetin ‘Berisha’ e zotit Mediu paraqet një problem të rëndë moral dhe politik. Deri në përfundim të procesit gjyqësor që po heton mbi përgjegjësinë e zotit Mediu në tragjedinë e Gërdecit dhe zyrtarëve të tjerë, ne gjykojmë se qëndrimi jashtë kabinetit ministror i tij është minimumi i mundshëm që shoqëria shqiptare të jetë e qetë se kemi të bëjmë me një qeveri të përgjegjshme dhe me një sens normal moraliteti. Duke mbajtur jashtë kabinetit zotin Mediu, përtej përfaqësimit të tij politik apo mandatit që i ka dhënë partia e vet për ta përfaqësuar në qeveri, kryeministri Sali Berisha do të demonstronte një përgjegjësi politike dhe publike kundrejt kësaj ngjarjeje, në përputhje me angazhimet që ai ka marrë publikisht për t’i shkuar kësaj tragjedie deri në fund lidhur me përgjegjësitë e gjithsecilit, kushdo qofshin ata”, - thuhet në peticion.

9 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›