E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetarët protestë para Kryeministrisë

Autori i Lajmit: Redaksia
Gazetarë të njohur, analistë, drejtues të medias por dhe qytetarë janë solidarizuar në qëndrimin e tyre për të dënuar dhunë e ushtruar ndaj gazetarit Mero Baze nga biznesmeni Rezart Taçi. Të mbledhur para godinës të Këshillit të Ministrave ata kanë kërkuar dënimin e autorit dhe mbrojtjen e njerëzve të medias. Gazetarët, aktin e shëmtuar të ndodhur mbrëmjen e së hënës, e cilësojnë si censurë mediatike ushtruar nga kryeministri Sali Berisha. Protestuesit në fund të protestës në shenjë solidarizimi ndaj dhunës së ushtruar ndaj gazetarit, Mero Baze kanë gjuajtur me këpucë në drejtim në shkallëve të godinës së kryeministrisë.

Protesta

Në protestën disa minutëshe para godinës së Qeverisë shqiptare morën pjesë gazetarë dhe qytetarë. Ata protestuan qetësisht dhe thanë fjalën e tyre rreth dhunës që iu ushtrua nga një biznesmen, gazetarit Mero Baze. Gazetari Ylli Rakipi tha para protestuesve se Qeveria duhet të lirojë dy truprojat dhe të arrestohet agresori i vërtetë. “Qeveria duhet të ndalojë agresorin e vërtetë. Nëse nuk ndalohet agresori, edhe shteti është agresor”, - theksoi ai. Aleksandër Çipa, kryetari i Unionin i Gazetarëve tha se protesta e djeshme nuk është për një individ, por është protestë për një dimension më të gjerë, lirinë. “Nuk është protestë për një individ, është protestë për një dimension, është protestë për një liri që neve e aspirojmë dhe e dëshirojmë të gjithë”, - tha ai. Çipa shtoi se jo pa qëllim u zgjodh pikërisht godina e Kryeministrisë për protestë, “për t’i dhënë mundësi Qeverisë dhe pushteteve të dëgjojnë mirë dhe ta lexojnë drejt këtë reagim publik të gazetarëve”. Edhe analisti, Andrea Stefani tha se protesta zhvillohet për mbrojtjen e medias të lirës. “Dhuna ndaj Bazes, është një akt i turpshëm. Media duhet të mbrohet pavarësisht bindjeve politike të saj”, - theksoi Stefani ndërsa shtoi se “fat të keq shikojmë se po ngrihet fryma kundër gazetarëve, dhe ky nuk është një aksident”. Më i ashpër në deklarata ka qenë gazetari Filip Çakuli. Ai akuzoi direkt kryeministrin për ngjarjen me Bazen. “Vetëm një agresor është, dhe ai e ka emrin Sali Berisha. Me vjen keq që gazetarët nuk e thonë tamam emrin e agresorit të vetëm, i cili e ka treguar me fakte agresivitetin e tij jo vetëm ndaj gazetarëve”, - tha ai. Në fund të protestës, pjesëmarrësit hodhën këpucë në drejtim të shkallëve të godinës së Qeverisë së Shqipërisë. Edhe pse gazetarët janë distancuar nga ky gjest. “Distancohemi nga goditja me këpucë. Këpucët u hodhën nga të rinj që ndodheshin në proteste”,- sqaroi Aleksandër Çipa. Gjuajtja me këpucë ndaj liderëve tashmë është kthyer në fenomen, pasi ndodhi fillimisht në Irak. Një gazetar u përpoq të godiste ish-presidentin e SHBA-ve Xhorxh Bush gjatë një konference për shtyp. Ngjarja bëri jehonë në mbarë botën dhe gjesti është përsëritur në disa vende ndaj politikanëve, rasti më i fundit në Turqi dhe me i freskëti dje në Shqipëri. I akuzuari për dhunën e ushtruar ndaj Bazes, Presidenti i kompanisë Taçi Oil, Rezart Taçi ka hedhur poshtë akuzat ndaj tij. Në një deklaratë për mediat, biznesmeni Rezart Taçi i quan të rreme akuzat në lidhje me ngjarjen, ndërsa mohon të ketë ushtruar dhunë ndaj kryeredaktorit të gazetës ‘Tema’, duke saktësuar se nuk ka pasur asnjë lloj kontakti fizik me të. “Gjatë gjithë karrierës sime profesionale kam bashkëpunuar me respekt dhe durim me të gjithë bashkëpunëtorët, partnerët dhe palët e treta pa cenuar as edhe njëherë të vetme, edhe në situata tepër të vështira, integritetin e askujt dhe për më tepër të ndonjë gazetari apo medie edhe kur ka qenë kritike ndaj meje apo bizneseve të mija. Akuza me të cilën po përpiqen të përbaltin personin tim dhe atë të bashkëpunëtorëve të mi nuk është gjë tjetër veçse vazhdim i një strategjie denigruese që ka si synim tjetërsimin e aktivitetit të kompanisë që unë zotëroj dhe përfaqësoj”, - thuhet në deklaratën e Taçit.

Topi: S’ka demokraci pa media te lira

Presidenti i vendit, Bamir Topi ka reaguar pasditen e djeshme lidhur me dhunën e ushtruar ndaj gazetarit meto Baze. Në një deklaratë për media, bërë në forumin e tretë për median në Evropën Juglindore të zhvilluar në Tiranë ai pohoi se kjo ngjarje është e papranueshme. “Ngjarja me gazetarin Mero Baze është e papranueshme”, - ka pohuar Kreu i Shtetit shqiptar. Presidenti ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së mediave duke shtuar se kjo rrugë është e gjatë dhe e vështirë pasi, sipas tij media është një fushë e lakmueshme nga politika. “Ka tentativa të qarta që grupet e politikës, pa cituar askënd, shtrijnë një influencë jo normale mbi median. Disa media në Shqipëri ngjajnë si parti politike”, - tha Topi. Por ai ka shtuar gjithashtu se nuk mund të ketë demokraci pa media të lira në vend. Ndërsa e ka konsideruar këtë incident si këmbanë alarmi për institucionet, Kreu i Shtetit është shprehur se ka ardhur momenti për reflektim të thellë me qëllim eliminimin e presionit ndaj mediave. “Ngjarja e papranueshme e dhunimit të gazetarit duhet patjetër të ngrejë në alarm institucionet e shtetit dhe këto nuk mund të vijnë në formën e orientimit nga presidenti, por në një shtet demokratik të gjitha institucionet kanë detyrime dhe përgjegjësi për të vendosur standardet e shtetit ligjor. Të gjithë së bashku duhet të dimë ta vëmë median në funksion të shoqërisë dhe të qytetarëve. Gazetarët kanë nevoje për integritet”, - theksoi Topi ndërsa nënvizoi se është e nevojshme reforma në legjislacionin për mediat. Ai kujtoi se ndër vite media ka ecur në një rrugë jo të lehtë prandaj është e nevojshme mbështetja e saj.
Ky lajm është publikuar: 05/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›