E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshimet në statut, gati pyetësori

Autori i Lajmit: Suela Topi
Grupi i Punës për ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste ka përfunduar tashmë pyetësorin që do ta shpërndajë në bazë. Burimet nga selia rozë pohojnë se gjatë mbledhjes së djeshme të anëtarëve të këtij grupi pune është hartuar një listë pyetjesh që do ti drejtohen bazës për të marrë mendimin e saj se çfarë kërkon të ndryshojë në parti. Procedura e radhës pas vjeljes së mendimit do të jetë pikërisht analizimi i gjithë këtij dokumentacioni dhe më pas nxjerrja e konkluzioneve të nevojshme. Mësohet se edhe në këtë fazë të dytë do të merret përsëri mendimi i anëtarësisë.

Pyetësori

Përmes këtij pyetësori grupi i punës do të thithë mendimin për çështje që kanë të bëjnë me strukturën që duhet të ketë PS në të ardhmen, komunikimin me socialistët por dhe elektoratin. Gjithashtu pritet që të merren mendime rreth hapësirave konkurruese që duhet të përfshijë PS-në, që nga kryetari i partisë e deri te kryetarët e organizatave, apo kandidatët për deputetë. Zgjedhjet e 28 qershorit sipas vetë socialistë, kanë treguar mjaft probleme me organizimin e brendshëm të partisë por dhe në përballjen e tij me elektoratin. Kjo gjë u vu re dukshëm në zonat rurale, ku dhe rezultati është më i ulët se në zgjedhjet e 2005. Një fakt i tillë është pranuar dhe nga deputetët socialistë si Pandeli Majko. Ai ka pranuar mediatikisht se PS duhet të afrohet me elektoratin dhe të dëgjojë atë çka ai kërkon. Kjo do të përbëjë dhe një nga pikat bazë të reformës. Por statuti do të përpiqet të trajtojë dhe ato çështje që u bënë temë e debatit të brendshëm në PS, siç ishte personalizimi i fushatës, mungesa e drejtimit kolegjial të PS-së, ringritja e disa strukturave socialiste në rrethe, të cilat në statutin aktual rezultuan si dobësi në punën në terren të PS-së. Në mbledhjen e fundit të Asamblesë Socialiste, kreu socialist Edi Rama u shpreh i hapur për një debat të gjerë për të bërë ndryshimet e nevojshme në statutin e socialistëve, ashtu siç ishte premtuar në kongresin e fundit, për t’ia lënë një kohë më të vonë dhe përmes një debati të gjerë me anëtarësinë. Madje ai është shprehur i hapur që baza e debatit për statutin e ri të jenë paketat e propozuara gjatë kongresit të fundit nga Ben Blushi dhe fushatës elektorale brenda PS-së, të propozuar nga Maqo Lakrori. Rama hodhi dhe propozimin sipas të cilit deputetët aktualë, për të hyrë sërish në listën e kandidatëve, duhet të votëbesohen në qarqet ku janë zgjedhur. Pritet që ky propozim të bëhet pjesë e paketës së ndryshimeve statutore. Tashmë grupi i kundërshtarëve të Edi Ramës në PS ka bërë një set propozimesh që në kongresin e jashtëzakonshëm. Këto propozime bashkë me të tjerat pritet të merren në diskutim në fazën e përpunimit të projektit, përpara se ai të kalojë në kongresin e prillit të vitit që vjen. Ndryshimi kryesor i propozuar nga Lëvizja për Mendim Ndryshe në PS ishte ai që kishte të bënte me mosrikandidimin e kryetarit të partisë, në rast të humbjes së zgjedhjeve të përgjithshme. Në grup është diskutuar rreth hapjes së PS-së dhe ndaj atyre kategorive sociale që më parë konsideroheshin nga socialistët si të djathta ekstreme. Socialistët po mendojnë që të mbrojnë në programin e tyre ish të përndjekurit dhe ish pronarët, që sipas selisë rozë ndjehen të braktisur tashmë nga Partia Demokratike, e cila i ka përfaqësuar deri tani. Kongresi i vitit të ardhshëm do të miratojë programin e ri politik të socialistëve dhe statutin e ri. Grupi i punës për ndryshimet në statut kryesohet nga Gramoz Ruçi dhe përbëhet nga Arben Ahmetaj, Blendi Klosi, Agustin Marku, Bashkim Fino, Elvira Shapllo, Fatmir Xhafaj, Erion Braçe, Genc Gjonçaj, Ilir Gjoni, Maqo Lakrori, Musa Ulqini, Namik Dokle, Ndue Doda, Rajmonda Gjoni, Saimir Tahiri etj. Ky lajm është publikuar: 05/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›