Protesta në Athinë teksa Parlamenti miratoi buxhetin
Parlamenti grek e ka miratuar buxhetin ‘e tendosur’ dje, me gjithë protestat në të gjithë vendin kundër gjendjes së rëndë ekonomike dhe papunësinë. Protestat nisën pas vrasjes së një 15-vjeçari nga policia dhe po vazhdojnë dita-ditës me studentët, që kundërshtojnë brutalitetin e policisë dhe unionet e punës, që protestojnë kundër ngrirjes së pagave, rritjes së shpenzimeve të jetesës, shkurtimet e pensionit dhe frikën për rritjen masive të papunësisë. Sindikatat e punës thonë se buxheti i ri bën shumë pak për të mbrojtur grekët gjatë krizës financiare. Sipas CNN, qeveria e djathtë në Greqi po lufton për të ulur borxhin e vendit, i cili është ndër më të lartët në BE. Lideri i opozitës, George Papandreou ka fajësuar qeverinë për buxhetin gjatë diskutimeve pesëditore, duke thënë se programi i ekonomisë së saj ishte pjesë e problemit, jo e zgjidhjes. “Ky buxhet nuk do të na nxjerrë na kriza. Përkundrazi ky është pjesë e problemit dhe mungesë e kredibilitetin, me të cilin po përballet qeveria”, tha Papandreou. Kryeministri Kostas Karamanlis e sulmoi Papandreou-n gjatë debatit, se po ulte reputacionin e Greqisë në arenën ndërkombëtare me komentet e tij nëpër media. Karamanlis tha se Papandreou po përhapte nocionin se slogani i Athinës ishte “miliona dollarë për bankat dhe plumba për nxënësit”, raportoi “ANA-MPA”.