E Diel, 1 Nëntor 2026

Plagoset 42-vjeçari nga aksidenti në Vorë, policia ndalon autorin

 

TIRANE- Një person ka mbetur i plagosur pas një aksidenti në segmentin Ura e Gjoles-Vorë, pranë “Italcoll”, ndërsa kalonte nga njëra anë e rrugës në tjetrën. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, i cili është shoqëruar në dhomat e izolimit për të dhënë sqarime mbi shkakun dhe rrethanat e ngjarjes. Pjetër Deda, 42 vjeç, banues në Mirditë ka mbetur i plagosur dje pasdite, ndërsa është përplasur me një mjet fuoristradë “Land Rover”, që udhëtonte aty. Drejtuesi i mjetit, Nikolin Kola, ka qenë duke udhëtuar në aksin Fushë-Krujë Rinas, ndërsa është përplasur me 42-vjeçarin Deda. Ky i fundit ka marrë plagë të rënda dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në kryeqytet për të marrë mjekimin e nevojshëm për shkak të plagëve, që pësoi nga aksidenti. Sipas burimeve të policisë, i dëmtuari është nisur në drejtim të Spitalit Ushtarak me një mjet të rastit, ndërsa drejtuesi i mjetit ka qëndruar në vendin e ngjarjes, derisa ka mbërritur policia. Blutë kanë shoqëruar në komisariat drejtuesin e mjetit. Nga kryerja e veprimeve në vendin e ngjarjes nga ekspertët rrugorë dhe nga oficerët e Policisë Gjyqësore është mësuar se i dëmtuari Pjetër Deda, 42 vjeç, sapo zbriti nga një furgon linjash, u drejtua për në krahun e kundërt të rrugës. Sapo ka bërë disa hapa ai është gjendur përpara një automjeti, që udhëtonte në drejtim të Tiranës, të cilit i është ndërprerë rruga. Ekspertët dhe specialistët e Policisë Rrugore, kanë përcaktuar si shkak të ngjarjes ndërprerjen e rrugës nga i dëmtuari, i cili nuk ka kontrolluar më parë rrugën. Drejtuesi i mjetit deri në orët e vona të ditës së djeshme ka qenë i shoqëruar në polici për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.                 d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›