E Diel, 1 Nëntor 2026

Itali, tetë shqiptarë kapen me 57 kg heroinë e tre kile kokainë

 

ITALI – Fshehja e drogës në një vend sekret mes shkurresh të një zone të pyllëzuar nuk i ka shpëtuar ata nga policia. Operacioni policor italian, “Box room” ka çuar në pranga 8 shqiptarë, anëtarë të një rrjeti të trafikut të drogës në Venecia të vendit fqinj. Goditja e organizatës ka përfunduar me sekuestrimin e 57 kilogramëve heroinë, 3 kilogramëve kokainë, si edhe shume prej 65 mijë eurosh para kesh. Sipas agjencive italiane të lajmeve, arrestimi i shqiptarëve ka ardhur pas disa ditësh investigimesh prej agjentëve të antidrogës të policisë së Venecias. “Në netët mes 18 dhe 19 dhjetorit sektori kundër krimit të organizuar i policisë së Venecias, pas disa ditë vëzhgimesh dhe investigimesh arritën të zbulonin në një zonë rurale ‘depozitën’, ku organizata kriminale grumbullonte substancën narkotike, që bëhej gati për t’u shpërndarë në rajone të ndryshme të veriut dhe të qendrës së Italisë”, bëhej e ditur prej tyre. Mësohet se pas disa ditë mbajtjesh nën vëzhgim të shqiptarëve që banonin në zonë, të dyshuar për përfshirje në trafikun e drogës, forcat policore kanë zbuluar “vendin sekret” të trafikantëve në zonën e Gallaratas. Në këtë zonë agjentët e antidrogës kanë zbuluar vendin ku depozitohej droga, që trafikohej më pas nga banda. Sipas policisë, droga ishte fshehur mes barishteve dhe shkurreve në një zonë gjysmë të pyllëzuar. Fillimisht efektivët antidrogë kanë ndaluar dy shqiptarët T.G., 26 vjeç dhe D.D., 26 vjeç, rezident në Torino, të cilët çdo 3-4 ditë shkonin dhe kontrollonin këtë vend, çka kishte krijuar dyshime tek policia. Në “vendin sekret” policia ka sekuestruar rreth 52 kilogramë heroinë. Mësohet se droga ishte e ndarë në kallëpe dhe e groposur rrëzë barishteve, në vende larg vëmendjes së syve kureshtarë. Në vijim të operacionit u arrestuan edhe anëtarët e tjerë të organizatës. Mësohet se banda trafikonte lëndë narkotike në Lombardi, Emilia Romana, Toskana dhe Lacio.                         ar.ba 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›