E Diel, 1 Nëntor 2026

Thaçi: Serbia i ‘mori leje’ Prishtinës për delegacionin

 

Për herë të parë, në mënyrë të tërthortë, Serbia i ka kërkuar leje autoriteteve të Kosovës për të hyrë brenda territorit të Republikës së re. Ministri për Kosovën në qeverinë serbe, Goran Bogdanoviç, ai për pushtetin lokal, Millan Markoviç, këshilltari i Presidentit të Serbisë, Mllagja Gjorgjeviç dhe drejtori i Postës dhe Telekomit të Serbisë, Goran Qiriç ishin dje në Graçanicë. Ata morën pjesë në ceremoninë e rihapjes së zyrës së Post-Telekomit të Serbisë në Graçanicë dhe do të zhvillojnë takime me kryetarët e komunave serbe të Kosovës qendrore. Këto struktura komunale nuk njihen nga autoritetet ndërkombëtare dhe ato kosovare. Megjithatë Serbia vazhdon hap pas hap të investojë brenda territorit të Kosovës, duke dhënë shenja të qarta, se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Hapja e postës ishte hapi i dytë, që hedh Serbia brenda Kosovës pas futjes së linjës së trenave në veri. Rangjell Nojkiç, drejtor i PTT-së së Serbisë për Kosovën, tha se renovimi i zyrës së postës në Graçanicë i ka kushtuar buxhetit të qeverisë serbe rreth 90 mijë euro. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi tha se vizita e një delegacioni ministror të Qeverisë së Serbisë që po realizohet në Kosovë, është bërë me dijeninë e Prishtinës. Ai tha se institucionet vendore kanë qenë të njoftuara nga autoritetet ndërkombëtare për këtë vizitë. “Ministrat serbë për herë të parë kanë kërkuar leje nga autoritetet civile ndërkombëtare dhe autoritetet civile ndërkombëtare kanë kërkuar mendimin e institucioneve, me dijeninë edhe të institucioneve të Serbisë; do të thotë, se autoritetet e Serbisë kërkojnë leje nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe ne jemi në favor të ndërtimit të relacioneve ndërshtetërore të mira edhe me Serbinë. Prandaj, institucionet, përkatësisht Ministria e Punëve të Brendshme ka qenë e informuar dhe vazhdimisht, gjatë gjithë protokollit, ky delegacion do të jetë i vëzhguar, menaxhuar nga institucionet e Republikës së Kosovës”, theksoi Thaçi. Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviç, gjatë vizitës tha se Serbia do ta injorojë Kushtetutën dhe Qeverinë e Kosovës dhe se do bashkëpunojë vetëm me bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë. Qeveria e Kosovës thotë se delegacioni serb kishte marrë lejen për vizitë në mënyrë legale nga institucionet kosovare. “Ne i kemi zgjedhjet tona, i kemi institucionet tona. Gjithë atë që do ta bëjmë në Kosovë, do ta bëjmë në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare. As Kushtetuta, as Qeveria e Kosovës, për ne nuk janë të pranueshme dhe ne nuk do të bazohemi në qëndrimet dhe deklaratat e tyre”, tha Bogdanoviç duke shtuar se qeveria serbe në agjendën e angazhimeve të saj për javët dhe muajt e ardhshëm, do të ketë edhe vazhdimin e mbështetjes për banorët serbë të Kosovës me qëllimin kryesor për kthimin  e të zhvendosurve serbë nëpër shtëpitë e tyre në Kosovë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›