E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazetari amerikan përshkruan makutërinë e ambasadorit jugosllav natën e Vitit të Ri

Autori i Lajmit: red.
Karroca që kisha prenotuar, ishte një karakatinë që fuste ujë nga të katër anët. Edhe pse karrocieri më mbuloi nga këmbët deri në mes me një mushama, rruga m u duk tepër e gjatë dhe e ftohtë. Për katër herë rresht kali ynë ndaloi, nguli këmbë e s donte të hidhte çap më tej. Më së fundi, karrocieri zbriti dhe duke shkelur nëpër baltë, nisi t i bjerrë kafshës së gjorë me sa fuqi që kish me shkop e me shkelma.
Kur zbritem në pallat, shiu vazhdonte të binte pa pushim, ndërkohë që rojet mbretërore të lagur gjer në palcë, qëndronin në pozicion nderi të radhitur para portikëve të hyrjes. Të veshur me uniforma ngjyrë kumbulle mavi, ata ishin pothuajse të gjithë malësorë të Matit, pra nga e njëjta krahinë ku kish lindur edhe vetë mbreti. Të ashpër dhe të fuqishëm, ata na përshëndetën sipas mënyrës shqiptare, me krahun e djathtë të përthyer drejt gjoksit mbi lartësinë e brezit.
Pasi u çlirova nga kapelja e pardesyja, një shërbëtor i gardërobës përveç numrit më dha edhe një biletë e cila më sa kuptova, qe shoqëruar me një biletë llotarie. Përkarshi, në një platformë, kishte zënë vend fanfara e gardës. Grupe njerëzish ishin shpërndarë në sallë sa andej-këndej: parlamentarë, ministra, diplomatë, gra të huaja, shumë oficerë të "ngarkuar" mirë me dekorata si edhe ca mercenarë rusë të bardhë, veshur me uniforma cariste e me kryqin e Shën-Gjergjit në gjoks.
Në orën njëmbëdhjetë e gjysmë, sallën e përshkoi një zhurmë. Po vinte Zogu. Turma u mblodh drejt hyrjes duke u ngritur në majë të këmbëve për të parë sa më mirë spektaklin. Kortezhi hyri dhe e përshkoi sallën duke ecur me nxitim. Në fillim mbreti me mbretëreshën e, pas tyre diplomatët që zbritën të shkujdesur nga shkallët që të çonin në një sallon të gjerë, ku një sobë si ato që ndesh shpesh nëpër fermat amerikane, shpërndante një ngrohtësi të këndshme. Muret dhe tavani i sallonit ceremonial qenë prej druri dhe siç më treguan, kur këtu rreth gjashtë muaj më parë ish zhvilluar ceremonia e martesës së Zogut, ajo për pak kish marrë zjarr nga nxehtësia e projektorëve të operatorëve të shumtë që filmonin.
Dyshemeja e sallonit ishte mbuluar me tapete të trashë Orienti. Muret qenë zbukuruar me dhjetëra xhubleta me ngjyrë blu e të purpurtë, plot arabeska të qëndisura me fije ari e agjenti shoqëruar me ca pisqolla e shpata damasku, të cilat ishin vendosur në mënyrë të tillë, që të formonin germën "Z", e cila simbolizonte emrin e mbretit. Një radhë e gjatë tavolinash ishin vendosur rresht përgjatë murit majtas e atij përkarshi, mbushur plot me enë ari, kristale verbues të Bohemisë, shandanë, gjellë e pije të shumëllojshme.
Familja mbretërore, e mbledhur në një kënd të kësaj bufeje gjigante, nisi të hajë e të bëjë muhabet e rrethuar nga trupi i babëzitur diplomatik. Në mesnatë, dritat elektrike u fikën duke lënë pas tyre ndriçimin e butë të qirinjve. Nga xhamat e dritareve pashë përjashta disa njerëz, të cilët me sa dukej ishin rojet e gardës e që venin e vinin, duke mbajtur fanarë nëpër duar. Mbreti duke ngritur një gotë me shampanjë, uroi të pranishmit në gjuhën shqipe: "Gëzuar Vitin e Ri për secilin prej jush e për të gjithë të tjerët kudo që ndodhen". Pastaj përqafoi mbretëreshën, ndërkohë që të gjithë të pranishmit duartrokisnin. Duke parë këtë skenë, Jankoviçi m u afrua e më pëshpëriti në frëngjisht: "Po të isha unë në vend të tij, do ta kisha bërë edhe më mirë përqafimin ... ".
Pastaj, dritat elektrike erdhën përsëri dhe të ftuarit nisën të nxjerrin nga xhepat, biletat e llotarisë, të cilat ashtu si edhe mua, na i kishin dhënë në hyrje të pallatit. Kur më erdhi radha, më dhanë një paketë që kish brenda një shall leshi ngjyrë blu, një palë çorape gështenjë, një kravatë e një çantë. Dhurata të tilla pati për të gjithë. Përgjithësisht, për burrat këmisha e kravata, ndërsa për gratë të linjta të brendshme, stofra, parfume e lepurusha pellushi. Ndërkohë, mbreti e mbretëresha u tërhoqën dhe në sallë u bë një rrëmujë ku përziheshin shumë gjuhë: shqip, turqisht, greqisht, serbisht, frëngjisht, italisht, gjermanisht e anglisht. Më pas nisi balloja. Ndër damat, mbesat e mbretit qenë më të kërkuarat.

Takimi me mbretin
Zogu e donte Amerikën
Ndodhesha përbri çifteve që vallëzonin, kur doktor Libohova, ministër i Punëve të Jashtme, erdhi drejt meje e më tha se mbreti dëshironte të më takonte. Lashë menjëherë pakon me dhurata që mbaja në duar dhe e ndoqa pas. Pas nderimit nga dy roje me shikim të ashpër e vigjilent, hyra në aneksin e një dhome të "fshehur" prapa një vargu perdesh të rënda, të stolisura me thekë ari. Zogu dhe Geraldina qenë ulur në divan, pranë një peme të Vitit të Ri, zbukuruar plot drita nën një sfond qielli ku shkëlqenin dhjetëra yje të mëdhenj. Mbreti, i lartë rreth një metër e tetëdhjetë, i hollë, flokë e mustaqe gështenjë, sy të kaltër qe veshur me uniformë ushtarake, këmishë të kollarisur e kravatë të zezë. Ndërsa mbretëresha ishte krejt në të bardha, në kokë mbante një kurorë plot diamantë, ndërsa në veshë, duar e gjoks: vathë, varëse, byzylykë e varëse plot gurë të çmuar xixëllues.
Audienca ime ishte në fakt mjaft e zymtë dhe zyrtare. Një përkthyes, me fraza kortezie, më përktheu fjalët që mbreti më drejtoi në shqip. Prej tij mësova se, presidenti Roosevelt qe një njeri i mrekullueshëm të cilit mbreti do të dëshironte t i uronte personalisht një shëndet sa më të mirë dhe se, kishte dëgjuar mjaft të flitej për Amerikën, sidomos nga motrat e tij, që udhëtonin vazhdimisht e që një ditë do të dëshironte ta vizitonte edhe vetë etj. E falënderova madhërinë e tij për audiencën, duke iu përkulur me reverancë, pastaj i shtrëngova dhe një herë tjetër dorën e u zmbrapsa duke vazhduar përshëndetjet, sipas porosive që më kish dhënë çambellani. Por kjo ceremoni shkaktoi një kiamet të vërtetë. Pa dashur, ndërsa po ecja së prapthi, shkela fundin e një perdeje, e cila u shkëput e më ra mbi kokë. Ministri i Punëve të Jashtme dhe një shërbyes nxituan të ma heqin, e ndërkohë që mbretëresha nuk e mbajti dot të qeshurën, unë vazhdova ecjen time si një gërthje ...
Jashtë dhomës së pritjes, shandanët shkëlqenin nga dritat e qirinjve ndërkohë që të ftuarit nuk pushonin së ngrëni: "fois gras", sallata e akullore. Vërtet, bollëk i madh në një vend që vuante nga uria e mizorja. Pas pak, bashkë me Jankoviçin, vendosëm të largoheshim. Jashtë shiu kish pushuar. Rojet ishin po aty, me qëndrim të ngrirë e stoikë, duke pritur të thaheshin nga ngrohtësia e trupave të tyre.

box
Takimi surprizë, me shqiptarin që kishte studiuar në Harvard me mua
Më 1939 u largova nga Shqipëria me autobus. Për orë të tëra u troshita mirë, ulur e shtrënguar në një sedilje me një fshatar mbështjellë me lëkurë deleje, në një rrugë të gatë, plot dëborë, gurë e gropa. Fshatari qe i armatosur e në çdo lëkundje të kamionit, tyta e pisqollës së tij më çponte keqas në ije. Por, megjithatë isha i shtrënguar të duroja, s kisha ku të shkoja gjetkë. Sedilja përbri ishte zënë nga një cjap i plagosur. Kur zbritëm në Elbasan, një pasagjer më ftoi të hanim bashkë në restorantin më të madh të qytetit. Ndërsa ishim duke ngrënë, në tavolinë erdhi dhe u ul një mik i tij i cili për habinë time, m u drejtua në gjermanisht. Më vonë, tek po pinim kafenë, erdhi një tjetër person i cili, pasi foli pak shqip, më nguli sytë duke më parë në heshtje. Pastaj më pyeti me një anglishte të shkëlqyer: "Në s gabohem, ju duhet të keni qenë student në klasën e 34 të Harvardit?". Shtanga. S po u besoja syve. Ai kish mbaruar studimet në të njëjtin universitet me mua dhe tani punonte si profesor në Elbasan ...
Ky lajm është publikuar: 02/09/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›