E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosova insiston: Nuk ka pakt me planin e OKB-së

 

Nuk pranojmë elementet kryesore të planit të OKB. Ky është reagimi i kreut të qeverisë kosovare pas takimeve me përfaqësues të OKB dhe ambasadorë të tjerë në Prishtinë. "Elementet kryesore të planit gjashtëpikësh të OKB-së, janë të papranueshme për Kosovën". Deklarata e Thaçit u bë pas takimit me përfaqësuesit e vendeve të Grupit të Kontaktit dhe me përfaqësuesin e BE-së, në Kosoveë, Piter Feith, ku është hedhur poshtë plani i propozuar nga Ban Ki Moon. Por duket se i gjithë spektri politik në Kosovë është kundër EULEX. Kështu, ndërsa përfaqësuesit e vendeve të Quint-it dhe BE-së i vazhdojnë bisedimet për planin gjashtëpikësh me zyrtarët më të lartë shtetërorë të Kosovës, këta të fundit thonë se nuk e kanë ndërmend të lëvizin nga pozicionet. Thaçi theksoi se plani gjashtëpikësh i OKB-së, BE-së dhe Serbisë për shtrirjen e EULEX-it, është i papranueshëm dhe se EULEX-i mund të shtrijë misionin e vet në Kosovë mbi bazën e planit të Ahtisarit dhe Kushtetutës, duke e respektuar tërësinë territoriale të Kosovës. "Qëndrimi i institucioneve të Kosovës është shumë i qartë. Elementet substanciale të gjashtëpikëshit, kanë qenë, janë dhe do të mbesin të papranueshme, ndërsa ne i kemi thënë 'po' shtrirjes së EULEX-it në tërë territorin e Kosovës, duke respektuar sovranitetin e Kosovës, pavarësinë, Kushtetutën moderne të saj, dokumentin e presidentit Ahtisari, si dhe respektimin dhe garantimin e plotë të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Kjo është zgjidhja e drejtë", deklaroi Thaçi.
Ambasadorët
Por ambasadoret e vendeve më të industrializuara, përfshirë SHBA, i kanë bërë thirrje Prishtinës zyrtare që të pranojë planin 6 pikësh të OKB-së, që EULEX të vendoset në Kosovë në fillim të dhjetorit. Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tina Kaidanow ka deklaruar se plani i sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon, nuk është kundër Kosovës, por për të mirën e saj pasi e vendos në rrugën drejt BE-së. Por plani vazhdon të kundërshtohet nga Prishtina zyrtare, për faktin se përcakton status të veçantë për sistemin doganor të veriut të Kosovës, për policinë, gjyqësorin, trashëgiminë kulturore dhe ndan vendbanimet në vija etnike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›