E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gazetashitësit "bëjnë" evazion fiskal

04/03/2005  Deda: E kanë lejen për të shitur gazeta, por me to mbulojnë shitjen e cigareve dhe fruta-perimeve

Policia Bashkiake boshatis rrugët nga shitësit e gazetave

Qytetarët kanë mbetur të habitur dje, kur kanë parë që shitësi i zakonshëm i gazetës në cepin e rrugës ku banojnë nuk ka qenë aty. Banorët e rrugës “Myslym Shyri” kanë qenë të detyruar të shkonin deri te një kioskë në rrugën e Kavajës për të blerë gazetën e përditshme, ata të zonës së spitaleve deri në zonën e ish-bllokut, e kështu me radhë. Punonjësit e Bashkisë prej dy ditëve kanë ndërmarrë një aksion për largimin e gazetashitësve nga trotuarët. Dhe në mes të ditës kanë mbetur hapur vetëm ato pak kioska, që merren me shitje gazetash. Në vendin tonë gati 90 për qind e gazetave shitet me tezga në trotuar. Po kështu ndodh në të gjitha vendet e botës. Dhe nuk ka qenë arsyeja e zakonshme, shkak i largimit të tyre, mungesa e lejes apo mospagimi i taksës për zënie të hapësirës publike. Por, fakti që bashkë me gazetat shesin cigare dhe facoleta.

“Le të vijnë të ankohen tek unë”

“Ata që janë ankuar, le të vijnë të më takojnë mua, t’i sjellin të gjitha dokumentet, nga leja që ju është dhënë, fatura për taksën e paguar dhe të tëra. Mos të mbulohen me shitjen e gazetave për të shitur paketa cigare dhe fruta-perime nëpër rrugë”, thotë Ndrec Deda, drejtor i Policisë Bashkiake. Është absurde që ndërsa të gjithë nga ekonomisti më i thjeshtë, deri te qeveritarët ankohen për evazion fiskal të bizneseve të paregjistruara, që nuk paguajnë taksa, largohet nga rruga një gazetashitës që bënë “evazion fiskal” duke shitur cigare, çamçakiz, facoleta, apo fruta-perime.

Ideja, nga tavolinat te kioskat

Qarkullon një ide, se një grup gazetash të mëdha i kanë kërkuar Bashkisë që ta marrin ato përsipër shitjen e gazetave. Dhe gazetashitësit që shesin në rrugë me tavolinë “të shndërrohen” kioska. Por, në një emision televiziv i pyetur nga gazetarët kryetari i Bashkisë, Edi Rama, e ka mohuar që të ketë pranuar një ide të tillë, apo t’i ketë ardhur në tavolinë ky propozim. Ndoshta kjo zbrastisje e rrugëve nga shitësit e gazetave i paraprin realizimit të kësaj ideje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›